Reforma territoriale, Rama fton opozitën: Do të ketë të drejtë veto

Kryeministri Edi Rama ka ftuar opozitën të bëhet pjesë e reformës administrative-territoriale ndërsa e garantoi atë se do të ketë të gjithë hapësirën e nevojshme për të dhënë kontributin e saj, si dhe të drejtën e vetos.Ndërsa mori pjesë në nënshkrimin e projektit të asistencës teknike STAR që do të mbështesë reformën administrative-territoriale, Rama theksoi se edhe pse mazhoranca e ka shumicën për ta votuar këtë reformë në Parlament, kontributi i opozitës është shumë i vlefshëm."Në kushtet e sotme të Shqipërisë kjo është kryereformë sepse këtë herë kush vendos ta nis këtë reformë ka edhe votat e shumicës për ta kaluar në Parlament, votat janë arsyeja e fundit për të besuar që këtë herë politika shqiptare nuk mund të jetë pengesa e papërgjegjshme për zhvillimin normal të vendit. Ne duam që kjo reformë ta udhëheq Kuvendi i Shqipërisë me një komision të posaçëm parlamentar dhe jo vetëm e dëshirojmë pjesëmarrjen e opozitës por kemi gadishmërinë që në bazën e praktikës së mirë t`i njohim opozitës të drejtën e bashkëkryesimit dhe të drejtat që garantojnë barazinë në komision përfshirë edhe veton që është njohur në praktikën e komisioneve parlamentare. Qeveria do të luajë rolin mbështetës për të siguruar që të gjithë aspektet e këtij procesi të mbulohen plotësisht” tha Rama.Sipas kryeministrit synimi i qeverisë është që kjo reformë të realizohet përmes transparencës dhe gjithëpërfshirjes dhe të garantojë përfundimin me sukses të saj.  "Ne jemi të hapur dhe do të mbështesim çdo ide, çdo kontribut nga të gjithë dhe në çdo nivel, parlamentar apo komunitar. Urojmë që opozita ta nxjerrë jashtë axhendës së aksionit të vetë legjitim antiqeveritar, këtë temë të madhe të politikës kombëtare dhe të mos mungojë në rrugën e një reforme me interes të madh kombëtar, me interes të madh publik, me interes të madh komunitar. Vizioni ynë i kësaj reforme nuk lidhet me asnjë interes partiak, në favor të një pale dhe kundër një pale. Për ne, kjo reformë është instrument modernizmi për vendin dhe shtysë e fortë për zhvillimin e integruar të tij, gjë për të cilën ne jemi të gjithë dëshmitarë, ky vend ka nevojë të dëshpëruar. Është një reformë për ngritjen e një cilësie të re të projektit tonë kombëtar të Shqipërisë europiane. Për modernizmin e shërbimeve të përditshme për qytetarët, në zonat urbane dhe rurale dhe për garantimin e një shërbimi të besueshëm dhe të qëndrueshëm të punësimit dhe të ndihmës ekonomike.  Për lehtësimin e investimeve private, pa dyshim vendase apo të huaja. Në fund të fundit për vetë lehtësimin e rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE” tha Rama.Reforma territoriale, Arvizu: Partitë të jenë pjesë aktiveNë fjalën e tij, ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu ka nxitur partitë politike të bëhen pjesë aktive e reformës territoriale.“Nxisin qeverinë  që të sigurohet që zërat e qytetarëve të dëgjohet në gjithë këtë proces nëpërmjet të zgjedhurit të tyre, nxisin edhe të gjitha partitë politike që të marrin pjesë në këtë proces. Produkti më i mirë për vendin është gjithë përfshirja. Kemi besim tek suksesi” tha Arvizu.