Radika, Mediu: Plani real, komisione të përbashkëta Shqipëri-Maqedoni për ujërat
Në mes të një debati dhe mungesë së plotë të informacionit për projektin e devijimit të lumit Radika në Maqedoni, ish-Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu tregon se kjo është një çështje e njohur për Shqipërinë që prej vitit 2012 dhe që prej asaj kohe ka ecur përpara dhe është real.“Dua t’ju them që një diskutim është bërë në 2012 me përfaqësues të Ministrive dhe të komunitetit të zonës së Dibrës në Mavrovë. Është ngritur shqetësim nga ana e përfaqësuesve të komunitetit të Dibrës rreth këtij Hidrocentrali në Luginën e Lukovës dhe përfaqësuesi ynë, Drejtori i ujërave që ka qenë, e ka ngritur si një çështje që duhet të gjente patjetër zgjidhje në kuadër të konventave, të marrëveshjeve që ne kemi me Maqedoninë. Ka një projekt real nga ana e qeverisë maqedonase që është konsideruar edhe nga BB dhe është në fazën e një studimi të ndikimit të mjedisit dhe efekteve të tjera në jetën e qytetarëve të asaj zone. Nuk është shumë zhurmë për asgjë, por një proçes që ka nisur. Unë kam pas kontakte dhe me Ministrin e Mjedisit të Maqedonisë, ashtu dhe me zotin Koka i cili ka pasur po të njëjtin interes dhe kontakt me Ministrin maqedonas. Për fatin e mirë Ministri maqedonas i Mjedisit është shqiptar dhe ecen në po të njëjtën valë shqetësimi dhe ndjesie si ne.Janë dy momente, një moment është ndërtimi i Hidrocentralit nga të gjitha degëzimet e lumit Radika, në mënyrë të veçantë konsiderimin ose jo te Kroit të Thellë për të qenë pjesë e këtij proçesi që ka prurjet dhe me të mëdha ujore. Dhe ideja tjetër, devijimi i ujërave të Radikës në një ujëmbledhës që tenton të lidhet me Vardarin që do shmangte Drinin e Zi dhe do sillte pasoja në pikëpamje mjedisore dhe hidroenergjitike për Shqipërinë.Të dy këto momente duhen shqyrtuar në mënyrë shkencore dhe institucionale nga ana e qeverisë shqiptare. Në mënyrë shkencore, për faktin sespe ne i kemi kapacitetet për të arritur në një vlerësim të qartë nga pikëpamja tekniko-shkencore se kush është problemi dhe si duhet zgjidhur. Mendoj që profesorë të nderuar, që kam pas rastin të punoj me to në rastin e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës,kanë një gjykim dhe një vlerësim shumë herë më të qartë se politika se çduhet bërë dhe si duhet zgjidhur ky problem” deklaron Mediu.Përballë Drejtorit të Informacionit Patrik Sadikaj, në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News Mediu analizoi se ky projekt shkon dhe më tej në histori dhe ka edhe një prapavijë gjeopolitike që bie ndesh me interesat e Shqipërisë.“Maqedonia po vepron në interesin e saj gjeopolitik, të sigurisë, duke synuar të ndërtojë atë që do dhe pa dyshim për të ndërtuar një komunikim nga Selaniku në Shkup e deri në Beograd përmes Vardarit, për ta bërë atë të lundrueshëm. Çështja është që ky investim u vjen ndesh intersave tona ekonomike, të energjisë, gjepolitike dhe për më tepër reflektojnë në mënyrë të ndjeshme në popullësinë shqiptare të asaj zone dhe për këtë qeveria shqiptare duhet të jetë e pregatitur nga të gjitha drejtimet. Në mënyrë urgjente duhettë kërkojë të nënshkruhet marrëveshja e ujërave, e cila nuk lidhet thjesht me lumin Radika, por një marrëveshje që ka të bëjë me trajtimin dhe menaxhimin e burimeve ujore të të dyja vendeve apo dhe më në kompleks. Veprimet janë kryer në kohë, marrëveshja e Drinit është e rëndëishme, diskutimet që janë bërë nga Ministria e Mjedisit, tregojnë seriozitetin tonë lidhur me këtë çështje, adresimin që i ka bërë Ministria e Jashtme në kohën tonë tregon po ashtu marrjen në konsideratë në mënyrë serioze të kësaj çështje. Edhe kryeministri Berisha në diskutimet bilaterale e ka ngritur këtë si çështje të rëndësishme që duhet trajtuar. Kemi arritur dhe në trajtime specifike, siç është rasti i Prespës dhe Ohrit ku kemi marrëveshje konkrete.Duhet të kuptojmë që defekti shpeshherë qëndron tek ne.Për faktin se këto Komisione me ndryshimet politike krijojnë një boshllëk të pjesës më të madhe të tyre dhe në këtë mënyrë humbasim kohë për të realizuar marrëveshje të tilla në interes kombëtar. Ne kemi një marrëveshje shumë të mirë me Malin e Zi në kuadër të menaxhimit të ujërave dhe një memorandum bashkëpunimi në kuadër të shmangies së efekteve të përmbytjes në lumin Buna që mund të reflektojë një ide të qartë tek qeveria sesi mund të trajtohet problemi me Maqedoninë” tha ai.Përballë kësaj situate Mediu ka vetëm një porosi për qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.“Shteti shqiptar në mënyrë urgjente duhet të ndërtojë komisionin e përbashkët të marrëveshjeve të ujërave me Maqedoninë. Ne e kemi kërkuar në mënyrë insistente si Ministri Mjedisi që të ndërtohet ky komision i përbashkët që është ndërministror. Nga ana jonë drejtohet nga zv.ministri i Mjedisit, sipas nje vendimi të qeverisë është përcaktuar dhe kuadri dhe formati i këtyre marrëveshjeve, dhe të synohet që mbi Konventën e Helsinkit, Espos, Aarhus, marrëveshjeve që kemi bërë në kuadër të basenit të Drinit të arrihet në një marrëveshje të mirë me palën maqedonase. Sot kemi vetëm një marrëveshje që është e vitit 1956 në kohën e ish-Jugosllavisë që ka parashikuar një mundësi të devijimit me një sasi të caktuar rreth 8 metër kub në sekondë që mund të devijohet, por duhet të shohim me një analizë shkencore se kush janë efektet e tjera. Por meqenëse kemi projekte konkrete nga pala maqedonase atëherë kjo bëhet më urgjente. Nuk kanë komunikuar zyrtarisht, sepse nuk ka një material të përfunduar por mendoj që ne në interesin tonë kombëtar duhet patjetër të ulemi dhe të diskutojmë me ta. Janë dy momente, njëra ndërtimi i hidrocentralit në Luginën e Lukovës dhe pjesa tjetër është devijimi dhe kjo ka ndodhur që në kohën e Titos. Projektet e tyre nuk janë të sotme, por rigjallërohen herë pas here. Duke lënë mënjanë folklorizmin, duke mos thënë fjalën e fundit por duke qenë korrektë nga të drejtat që na japin konventat ndërkombëtare duhet të ndërtohet sa më shpejt komisioni dhe të komunikojë me palën maqedonase për një zgjidhje sa më të shpejtë. Nuk mund të kalojë me deklarata kjo situatë, por me një vendimarrje praktike” përfundoi kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu.