Obama ndalon përgjimet, analiza e tabulateve tani vetëm me vendim gjykate

Presidenti Barak Obama ka vendosur t'i japë fund kontrollit të qeverisë përsa i përket grumbullimit masiv të tabulateve telefonike dhe që analiza e këtyre të dhënave të bëhet me miratim nga gjykata. Presidenti mbajti sot një fjalim të shumëpritur mbi reformat e programeve të gjera të përgjimeve që kryhen nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.Në fjalimin që mbajti sot në Departamentin e Drejtësisë, Presidenti Obama tha se duke filluar nga data 28 mars, qeveria do të heqë dorë nga kontrolli i tabulateve. Më 28 mars, programi do të duhet të autorizohet nga një gjykatë sekrete e mbikqyrjes. Të dhënat më pas do të ruhen në sektorin privat, megjithëse ende nuk është e qartë se nga kush konkretisht.Fjalimi vjen shumë muaj pas nxjerrjes së këtyre programeve nga ish- kontraktori i sigurisë kombëtare Edward Snowden. Agjencia e Sigurisë Kombëtare, NSA thotë se ai vodhi 1.7 milion dokumente para se të largohej dhe më në fund të merrte strehim politik në Rusi.NSA aktualisht grumbullon miliona tabulate lidhur me telefonatat që bëjnë amerikanët. Të dhënat përfshijnë numrat që thirren, datat dhe kohëzgjatjet e thirrjeve telefonike por jo përmbajtjen e thirrjeve.Agjencia e Sigurisë Kombëtare, thotë se i duhen informacione të tilla për të penguar një sulm të ri terrorist kundër vendit. Por një komision i Shtëpisë së Bardhë që po merret me rishikimin e programeve të agjencisë si dhe ekspertë të ndryshëm, thonë se të dhënat e grumbulluara kanë bërë pak për të ndihmuar autoritetet të ndalin aktivitete dyshuara në SHBA që kur programi filloi të vihet në jetë si pasojë e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.Përveç ndryshimit të programit për tabulatet, Presidenti Obama po autorizon masa të reja privatësie për mbrojtjen e të huajve të dhënat e të cilëve janë mbledhur nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Në një rast, Edward Snowden nxorri se SHBA kanë përgjuar telefonin celular të kancelares gjermane Angela Merkel.Zoti Obama po propozon gjithashtu krijimin e postit të një avokati publik për të përfaqësuar shqetësimet e privatësisë para Gjykatës së Kundërzbulimit, e cila mbikqyr aktivitetet e spiunazhit.Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha dje se nxjerrjet e informacioneve sekrete nga Snowden kanë shkaktuar dëme, por ai këmbënguli se zoti Obama i sheh si legjitime debatet që kjo ka shkaktuar.