Maqedonia e vendosur për “Fushën e Lukovës". Ndryshim rrjedhës së Radikës

Qeveria e Maqedonisë është e vendosur për të realizuar projektin e ndërtimit të hidrocentralit në “Fushën e Lukovës”, pavarësisht reagimeve të banorëve të Dibrës dhe shoqatave ekologjike.Zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev ka theksuar vendosmërinë e realizimit të projektit të Fushës së Lukovës, edhe ministrat shqiptarë të Ekologjisë, Ekonomisë dhe komuna e Dibrës është shprehur kundër projektit, pasi që parashikohet ndryshimi i rrjedhës së lumit Radika dhe rrezikimi i ambientit jetësor në zonën e Dibrës.“Gjatë realizimit të projekteve do të mbahet llogari maksimale për respektimin e standardeve ekologjike dhe për respektimin e mjedisit jetësor për çka hartohen një numër më i madh i studimeve, në të cilat janë të kyçura edhe organizata relevante të huaja ndërkombëtare, të cilat do të kenë pjesëmarrje në realizimin e projekteve dhe të cilat japin edhe një garanci shtesë se nuk do të ndërmerret diçka që do të thotë prishje e balancit ekologjik dhe rrezikim i mjedisit jetësor”, theksoi zëdhënësi  Gjorgjiev.Ai shtoi se dy projektet "Fusha e Llukovës" dhe "Ura e Boshkos" janë strategjike dhe se me realizimin e tyre do të ketë efekte jo vetëm mbi energjetikën, por edhe mbi gjithë zhvillimin ekonomik të shtetit.Por nga ana tjetër shoqata ekologjike këtyre muajve kanë shprehur kritika mbi projektin duke theksuar se rrezikohet ambienti jetësor në zonat ku parashikohen këto projekte. Banorët e Dibrës muajt e fundit kanë mbajtur protesta për të kundërshtuar realizimin e projektit të tillë.Sipas tyre, projekti i “Fushës së Lukovës” që parashikon ndërtimin e një hidrocentrali do të bëhet përmes ndryshimit të rrjedhës së lumit Radika dhe shterrjes së tij dhe liqenit të Dibrës, ku do të rrezikohet ky rajon për mungesë të ujit dhe do të pësojë dëme të tjera ekologjike.Një protestë kundër këtij projekti u mbajt edhe në Nju Jork nga Shoqata Atdhetare “Dibra”, e cila përmes një letre ka apeluar bashkësinë ndërkombëtare, administratën e OKB-së dhe SHBA-ve për dëmet që shkaktohen nga realizimi i projektit të “Fushës së Lukovës”.