Jahjaga-Daka bisedojnë për zgjedhjet në veri: Proçesi sipas ligjeve të Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, me të cilin bisedoi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Mitrovicës së Veriut.Jahjaga u njoftua nga kryetarja e KQZ-së, Daka, për aspektet organizative dhe përgatitjet që duhet të kryhen nga KQZ-ja për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme.Presidentja Jahjaga theksoi se i gjithë procesi i zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Mitrovicës së Veriut duhet t’i përmbahet ligjeve të Kosovës që përcaktojnë rrethanat dhe mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.Ajo tha se të gjitha institucionet e mandatuara për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve duhet të përgatiten sa më mirë për një proces të drejtë dhe të lirë të zgjedhjeve.Zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës veriore do të përsëriten për shkak se kryetari i zgjedhur i kësaj komune, Kërstimir Pantic, ka refuzuar ta japë betimin para anëtarëve të Kuvendit të Komunës.Ky është vlerësimi i MAPL-së pas përfundimit të vlerësimit të ligjshmërisë për seancat inauguruese të mbajtura në komunën e Leposaviçit, Mitrovicës veriore, Zveçanit dhe Zubin Potokut.Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se është në kompetencën e presidentes Atifete Jahjaga shpallja e zgjedhjeve të përsëritura në Mitrovicën veriore. Mirëpo ajo ka thënë se, duke i pasur parasysh afatet ligjore, zgjedhjet në këtë komunë pritet të mbahen nga fundi i muajit shkurt.“Është në kompetencën e presidentes Jahjaga ta shpallë datën e zgjedhjeve të përsëritura në Mitrovicën veriore, por duke i marrë parasysh afatet ligjore besoj se nga fundi i shkurtit do të mbahen zgjedhjet. Pra, sipas afateve, zgjedhjet e përsëritura duhet të mbahen brenda 30 apo 45 ditëve. KQZ-ja e ka obligim t’i mbajë zgjedhjet kur do që ato të mbahen”, ka thënë Daka.MAPL-ja ka konstatuar që kryetarët e komunave të Leposaviçit, Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë përfunduar betimin dhe mund të vazhdojnë të realizojnë mandatin e tyre në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.