Nderohen viktimat e Masakrës së Reçakut
Në përvjetorin e pesëmbëdhjetë të masakrës së Reçakut, mijëra qytetarë kanë bërë homazhe te memoriali në Reçak. Më 15 janar 1999 forcat serbe ekzekutuan 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes.
Familjarët e të rënëve kanë falënderuar të gjithë shqiptarët që me 15 janar vizitojnë Reçakun dhe i lehtësojnë dhimbjet e tyre.Ne Reçak ka bërë homazhe edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje i kryesuar nga lideri i saj, Albin Kurti, këta të fundit kanë vënë në secilin varr nga një trëndafil të bardhë.
“E di që sot të gjithë shqiptarët e posaçërisht këta familjarë janë shumë të mërzitur. Mërzia është e pashmangshme edhe pse kanë kaluar 15 vjet. Mirëpo, gjithashtu mërzia nuk është zgjidhje andaj, i falënderohem të gjithë këtyre familjarëve që po mbahen kaq të fortë dhe njëkohësisht them që emrat e dëshmorëve dhe martirëve të kombit nuk harrohen kurrë ashtu sikurse që gjaku i tyre nuk humbet kurrë. Shteti i Kosovës, institucionet dhe populli i Kosovës ju ka borxh shumë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe para së gjithash e mbi të gjitha duhet të respektojnë idealet e tyre në mënyrë që të jemi në nivel të detyrës sonë. Po ia hoqe dëshmorët dhe martirët historisë së popullit tonë, atëherë pak çka në mos asgjë mbetet aty”, tha Albin Kurti.Kryeministri Hashim Thaçi ka rikujtuar masakrën e Reçakut. Ai vlerëson se kjo masakër u bë simbol i zgjimit të ndërgjegjes botërore.“Falë shpejtësisë së informimit dhe ndjeshmërisë politike të botës demokratike, Reçaku u bë pikë kthese e zhvillimeve të vrullshme diplomatike, përshpejtuar organizimin e Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë.Sakrifica e Reçakut është simbol zgjimit të ndërgjegjes botërore, është çmimi i flijimit për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Reçakut!”, ka deklaruar Thaçi.Para 15 viteve ndodhi Masakra e Reçakut, ku u vranë 45 civilë shqiptar në mesin e tyre edhe 8 pjesëtarë të UÇK-së. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të Miloshevicit.