Maqedoni, arrihet marrëveshja për Kodin Zgjedhor, PDSH kundër

Partitë më të mëdha politike me përjashtim PDSH-së sot arritën marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Rreth marrëveshjes për Kodin zgjedhor janë pajtuar dy partitë e koalicionit qeverisës VMRO-DPMNE dhe BDI si dhe partia më e madhe opozitare maqedonase Lidhja Social Demokrate (LSDM).Përfaqësuesit e këtyre tre partive theksuan se me ndryshimet e këtij kodi do të mundësohen zgjedhje të lira dhe demokratike si dhe kushte të barabarta për pjesëmarrësit në zgjedhje.Sipas tyre sprovë dhe test për ndryshimet e Kodit zgjedhor do të jenë zgjedhjet presidenciale.Ndryshimet në kodin zgjedhor parashohin ndarjen e partive nga pushteti që nënkupton se zyrtarët nuk do të kenë të drejtë promovimin e projekteve të ndryshme para dhe gjatë fushatës.Harxhimi i mjeteve buxhetore do të jetë transparent ndërsa donacionet do të jenë të kufizuara deri në 50 mijë euro. Për gjithë shkelësit e këtyre obligimeve pasojnë edhe dënime me burg nga gjashtë muaj deri në 5 vjet.Po ashtu është rregulluar edhe çështja e reklamimit në media dhe prezantimi i barabartë i subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore.“Kodi i miratuar eliminon edhe favorizimin për personalitetet apo për partitë që janë në pushtet sepse ka kufizime të dukshme edhe në atë që quhet disponim me mjete buxhetore por edhe favorizimet eventuale që mund t’i jep pushteti”, theksoi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdylaqim Ademi.LSDM ka përshëndetur gjithashtu ndryshimet e miratuara të Kodit zgjedhor. “Përmes qëndrueshmërisë në argumentet e tona ne arritëm që të detyrojmë pushtetin që të pranojë kërkesat tona kyçe që janë në përputhje edhe me rekomandimet e OSBE/ODIHR”, theksoi deputetja e LSDM-së, Cvetanka Ivanova. Ajo theksoi se këto ndryshime për të hyrë në fuqi së shpejti do të duhet të miratuar në Parlament, ashtu pa asnjë ndërhyrje.Sipas saj, me ndryshimet e reja nuk ka reklamim politik nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në fillim të fushatës, nuk ka financime të reklamave nga buxheti nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në përfundim të zgjedhjeve, reklamimi është kufizuar në 12 minuta.Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti përshëndeti arritjen e marrëveshjes dhe se sipas tij me këtë është realizuar një interes i lartë shtetëror dhe i gjithë qytetarëve për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.Marrëveshja u përshëndet edhe nga partia më e madhe në pushtet VMRO-DPMNE.“Kjo paraqet një sinjal të mirë dhe pozitiv për nivelin e dialogut politik dhe pjekuri politike në Maqedoni”, theksoi përfaqësuesi i kësaj partie, Nikolla Todorov.Nga ana tjetër Partia Demokratike Shqiptare nuk e përkrah propozimin për Kodin Zgjedhor, pasi që ky propozim nuk vjen si rezultat i dialogut të mirëfilltë mes të gjitha partive më relevante në vend, por është thjesht një marrëveshje mes VMRO-së dhe LSDM-së, në dëm të votës shqiptare, të cilën e përkrah edhe BDI.“Kur jemi te BDI, nuk është për t'u çuditur mendësia e hutuar që i ka kapluar këto ditë ata. Ministrat e tyre flasin ndërmjet vete maqedonisht, komunikatat për shtyp i lëshojnë në gjuhë maqedonase, i bashkojnë ambasadat me Serbinë, kërkojnë president konsensual, por ai të jetë maqedonas dhe çdo marrëveshje tjetër që arrijnë partitë maqedonase në dëm të shqiptarëve ata e paraqesin edhe si të tyren, pra konsensuale!!! Kjo ndodh edhe me këtë Kod Zgjedhor”, theksoi deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.Sipas tij, ky propozim i Kodit Zgjedhor aspak nuk garanton mbajtjen e zgjedhjeve fer, të lira dhe demokratike. Ai tha se PDSH në vazhdimësi ka alarmuar për vjedhjen e votës, falsifikimin e procesit zgjedhor, blerjen e votës, shantazhet dhe frikësimin e popullatës gjatë procesit zgjedhor të gjitha këto nga ana e BDI-së dhe për ta argumentuar këtë shërben falsifikimi i dokumentuar i rezultatit të zgjedhjeve të kaluara në Komunën e Çairit.