Bashkia e prerë për biletën e urbanit, Bozdo: Nuk do të lejojmë rritjen e çmimit
Bashkia përsërit qëndrimin e saj se nuk do të lejojë rritje të çmimit të biletës të transportit urban. Vendorët thonë se i takojnë qeverisë të gjejë mekanizma të rinj për të ndihmuar financiarisht transportin urban, po pa ndikuar në xhepat e konsumatorëve, pra pa ndryshim të çmimit të biletave e aboneve.“Ju e dini tashëm pozicionin shumë të fortë të Bashkisë së Tiranës, çmimi i biletës për Bashkinë e Tiranës nuk duhet të rritet në asnjë mënyrë. I takon qeverisë të shikojë mekanizma të tjerë financiar të pa eksploruar akoma, të cilët mund t’i sjelli operatorët në kushte më të mira, të përfitueshmërisë së tyre ekonomike. Në mënyrë që cilësia e shërbimit në Tiranë të ngelet ajo që është, kemi bërë një sforco të madhe për t’a sjellë cilësinë e shërbimit të transportit urban në Tiranë, në këtë nivel që është sot. Ju siguroj, më shumë se gjysma e flotës së autobusëve është i ri, përmirësimi është i dukshëm dhe i prekshëm. Ne kemi shumë nevojë që këtë standard ta mbajmë, por këtu qeveria duhet të ndërhyjë jo duke rritur çmimin por duke eliminuar ndoshta akcizën, ndoshta TVSH-në për karburantin, ndoshta edhe taksën e re që u rrit dhe ja ka bërë jetën të gjithëve më të shtrenjtë”-theksoi Bozdo.Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin e plotë të rrugës “Preng Jakova”. Kjo rrugë është asfaltuar, me parë në të kanë përfunduar edhe kanalizimet.“Ky është një tjetër investim i Bashkisë Tiranë, një tregues i përkushtimit të Bashkisë për të përmirësuar standardin e jetesës në të gjitha lagjet, edhe në lagjet e Tiranës, është një rrugë e cila siç e shikoni ka marrë një pamje të mrekullueshme, 500 m lineare instalime, tubacione të ujërave të bardha dhe të ujërave të zeza, rikonstruksion i plotë i rrjetit të ujësjellësit, rreth 20 copë pemë bli dekorative dhe janë prishur në shumicën dërrmuese të rrugës, muret rrethuese për t’u zëvendësuar me kangjella në mënyrë që të marrë një pamje edhe më të bukur. Besoj se kjo rrugë por edhe rrugë të tjera që do të jenë në vijim, edhe të gjitha veprat me të cilat Bashkia e Tiranës interesohet dhe ka investime, tregon edhe njëherë përkushtimin ndaj komunitetit dhe mbajtjen e premtimit tonë për një Tiranë europiane, për një Tiranë të shekullit të XXI-të”-tha Bozdo.Nënkryetari, Eno Bozdo, thotë se Bashkia është e përkushtuar në ndërhyrjet në infrastrukturë në çdo lagje dhe zonë të Tiranës.