Rikthehet afrofeja e energjisë, konsumatorët do paguajnë sipas zonave
Të gjithë ata konsumatorë familjarë që nuk kanë sahat energjie, apo e kanë të prishur tashmë do të paguajnë energjinë sipas faturimit afrofe.Burime nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike bëjnë me dije se një vendim i tillë tashmë ka hyrë në fuqi. Ky vendim ka ardhur pas kërkesës së CEZ, e cila nuk po arrin të mbledhë të ardhurat. Por sa duhet të paguajnë tashmë qytetarët?Pagesa afrofe e qytetarëve nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë Shqipërinë, por do të ndryshojë me qytete. Në vendim është parashikuar që kryeqyteti të ketë një fashë të ndryshme nga qytet e tjera të faturimit afrofe.Për Tiranën është përcaktuar sasia 600 kë për qytetin dhe 400 kë për fshatin gjatë stinës së dimrit. Ndërsa për të njëjtën zonë, por për stinën e verës, një familje pa sahat ose me sahat të dëmtuar do të faturohet për 400 kilovat orë në qytet dhe 300 kilovat orë në fshat.Kështu do të veprohet në të gjitha qarqet e vendit, por jo të gjithë do të kenë të njëjtin numër kilovat orësh. Kështu për Tiranën vlera e faturës së bashku me TVSH shkon në 7632 lekë në stinën e dimrit, ndërsa në verë 4332 lekë pavarësisht sa energji harxhon.Në fshat vlera e afrofesë për dimrin është 4332 lekë, kurse për verën 2772 lekë. Qyteti i Durrësit do të faturohet për 500 kilovat orë në dimër, ndërsa fshatrat e tij për 400 kilovat orë.Ndërsa në verë, qyteti do të faturohet për 400 kilovat orë, ndërsa fshatrat për 300 kilovat orë. Fieri është një tjetër qytet i cili në dimër do të faturohet për 500 kilovat orë, ndërsa fshatrat për 350 kilovat orë.Ndërsa në verë, faturimi do të jetë për 400 kilovat orë për qytetin dhe 350 për fshatin. Një faturë afrofe me 600 kilovat llogaritet të shkojë afro 7500 lekë të reja, (me TVSH) megjithatë për shumë familje kjo mund të jetë e vlefshme pasi ato mund të shpenzojnë shumë herë më shumë se kjo faturë por ka edhe nga ato familje të cilave do ti rëndoj shumë një faturë e tillë pasi shpenzojnë pak energji.