Meta pret Ambasadorin kanadez: Kanadaja, partner shumë i rëndësishëm për Shqipërinë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot Ambasadorin e Kanadasë në Shqipëri (Rezident në Romë) Peter Mc Govern.Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i Kuvendit i vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë si solide, si në planin shumëpalësh, ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit ekonomik e politik mes dy vendeve.Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë ndaj Shqipërisë dhe nënvizoi vullnetin për zgjerimin e investimeve kanadaze nga Shqipëria në të gjithë rajonin."Kanadaja është një partner shumë i rëndësishëm për Shqipërinë" - u shpreh Meta.Ambasadori i Kanadasë Mc Govern pasi i vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe si të shkëlqyera, vuri në dukje se Kanadaja përbën burimin më të madh të investimeve në Shqipëri, duke theksuar njëkohësisht vullnetin për rritjen e mëtejshme të tyre.Gjithashtu Ambasadori shprehu gatishmërinë për forcimin e shkëmbimeve parlamentare, dhe ndau bindjen me z. Meta se ato përbëjnë një dimension të rëndësishëm të marrëdhënieve bilaterale.Në përfundim kryetari Meta dhe Ambasadori Mc Govern ndanë bindjen se komuniteti i mirë-integruar dhe i kualifikuar shqiptar në Kanada përbën një urë të shkëlqyer bashkëpunimi mes dy vendeve.Po sot Kryetari i Kuvendit priti edhe Ambasadorin e ri të Sllovakisë në Shqipëri, Milan Ciganik. Kryetari i Kuvendit Meta i uroi mirëseardhjen Ambasadorit Ciganik në Shqipëri dhe shprehu besimin se gjatë mandatit të tij në Tiranë, marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Sllovakisë do të vijnë duke u forcuar në fusha konkrete të bashkëpunimit.Ambasadori Ciganik shprehu kënaqësinë e emërimit të tij në Tiranë dhe rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të Sllovakisë ndaj avancimit të procesit të integrimit evropian për Shqipërinë, duke shprehur njëkohësisht vullnetin për të asistuar në këtë kontekst.Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ambasadori Ciganik ndanë bindjen se vizita e pritshme e Kryeministrit të Sllovakisë në Tiranë gjatë javës së ardhshme, do t’i shërbejë forcimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe rritjes së investimeve sllovake në Shqipëri e rajon.