Imami: Refuzimi i statusit, defekt i politikës së jashtme amatoreske

Refuzimi i Brukselit për dhënien e statusit vazhdon të mbajë gjallë diskutimet politike, por jo vetëm. Ndërsa politika, sikundër dhe analistët mbeten të ndarë në shkaqet që çuan në dhënien e një vendimi negativ për vendin tonë, duke e shtyrë daljen përpara provimit për në qershor, për ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami mes një terësi faktorësh kryeson politika e jashtme amatoreske e ndjekur nga qeveria Rama. I ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, Imami tha se mund të fshihet askush pas gishtit, apo ekstremizmit në Europë. Sipas tij në këtë vend nuk po arrihet të krijohen konditat për anëtarësim.“Opozita e djeshme dhe qeverisja e sotshme vjen me ngarkesa psikologjike, emocionale që i shpërfaqi për katër vjet rresht duke bllokuar dhe integrimin. Shqipërisë iu refuzua sërisht statusi. Kjo u bë për një seri arsyesh, janë defekte serioze në politikën e jashtme, në bashkëpunimin me opozitën në parlament, situata e rënduar e kriminalitetit në vend dhe elementët eksperimentues në fushën e ekononmisë që është e qartë se do kenë një fund të hidhur.Qytetari pret një qeveri të aftë, që ti shërbejë vendit, avancimit drejt BE, qëndrueshmërisë ekonomike dhe stabilitetit të vendit. Opozita ka mbajtur qëndrime terësisht të moderuara në raport me atë që po ndodh në vend.Edhe të kesh ide fikse edhe të shohësh realitete të ndryshme, që është saktësisht diçka që i përket një mendje të sëmurë është paaftësi.Është paaftësi për të parë realitetin në sy, për të gjeturrrugëzgjidhje për ndryshimin e realitetit. Ekstremistë ka pasur dhe do ketë gjithmonë, por nuk është vlerësuar kurrë nga pikëpamja religjoze. Nuk është shtruar asnjëherë çështja që vendi ynë ka probleme të kësaj natyre, problemet janë në kokën e Ramës. Nuk ka ndodhur që tre Kryeministra të Europës ti japin përgjigje një Kryeministri shqiptar për çfarëdo qoftë, por ndodhi vetëm këtë herë në përgjigje të deklaratës së Ramës. Nuk mund të fshihet askush pas gishtit, apo ekstremizmit në Europë. E vërteta është që në këtë vend nuk po arrihet të krijohen konditat për anëtarësim. Rama e bindi Europën që kjo mazhorancë nuk është serioze, ka dërguar mesazhe konfuze në Bruksel” tha ai.Nëse kjo vjen si rezultat i mungesës së një strategjie të qartë nga mazhoranca qeverisëse, Imami dha këtë përgjigje:“Ka shumë amatorizëm në propozimet dhe mesazhet që po dërgon politika e jashtme , por ndonjëherë dhe ide të çuditshme që nuk i shërbejnë askujt, as stabilitetit dhe paqes dhe as promovimit të një Shqipërie dhe një Kosovë europianiste dhe të integruar.Si rasti klamuroz që ne e njohim të gjithë, armët kimike, çështje që Rama e mori vetë përsipër dhe krijoi një ngjarje të përmasave globale. Në çdo kancelari kur shikohet se ka mungesë të plotë serioziteti ngjall mosbesim. Shqipëria nuk mund të ketë kosto afatgjatë, është partner serioz, është aleat jo i papërfillshëm i NATO-s, vendi i Shqipërisë është i qartë por kur ka çorientime të tilla krijohen pikëpyetje. Italia dhe Greqia janë dy partnerë të rëndësishëm të vendit tonë për të shkuar drejt BE, Turqia është vend shumë i rëndësishëm strategjik. Por partnerët ,miqtë, aleatët kanë secili vendin e tyre. Megjithatë asgjë nuk është e pariparueshme, e vetmja gjë e pariparueshme është paaftësia mendore për të kuptuar realitetin. Në të kundërt do ketë goditje, do ketë këshillime për moderacion dhe kujdes, që kam përshtypjen që janë dhënë. Rama përpiqet të krijojë ngjarje vizuale pavarësisht simbolikës që mbartin, por janë eksperimente qesharake, nuk mund të bëhen në politikë, aq më tepër në politikën e jashtme” u shpreh deputeti demokrat.Ish-Ministri Imami analizoi edhe situatën ekonomike, ku sipas tij kjo qeveri nuk ka asnjë program për të mundësuar rritjen e të ardhurave në vend. Imami shprehu shqetësimin edhe për shkarkimet masive në administratë, të cilat sipas tij janë në kundërshtim të hapur me ligjin dhe do kenë një kosto të madhe për shtetin sakohë ligji për nëpuënsin civil është i aplikueshëm që prej tetorit.“Nuk ka program, nuk është program që mund t’ia shpjegosh një familje të thjeshtë shqiptare. Nëse do kishte program duhet ta kishte sesi do rriten të ardhurat në këtë vend. Në buxhetin e shtetit që është mekanizmi përmes të cilit arrihen qëllimet nuk ka të planifikuar asnjë vend të ri pune. Në administratë ka punësime dhe çpunësime masive, do të paguhen dy palë lista. Është e pafalshme të largohen njerëz nga puna në të tilla forma dhe mënyra. Ligji për nëpunësin civil është aplikuar dhe është i aplikueshëm që nga tetori. Kemi të bëjmë me shpërblim militantësh, është problem serioz, partitë politike janë vendi ku njërëzit formësohen. Ka njerëz që rekrutohen jashtë partisë pa asnjë lidhje, nisur nga figura të rëndësishme bazuar në të vetmin kriter “të zgjedhim atë që nuk ia merr mendja askujt”. Kjo është e keqe, nuk dihet ku është lidhja. Rekrutimi mbi bazën e lidhjeve dhe pëlqimeve personale është shumë i rrezikshëm. Apo në policinë e shtetit, të gjithë policët nga 5 fshatra të Tepelenës, të kishin marrë dhe një ktej nga Vlora. Nuk qeveriset vendi me konferenca, vetëm me fasadë, nuk mund të thotë askush se fajin e ka Saliu për kriminalitetin sot në vend kur kanë kaluar katër muaj. Nuk mund të hidhet me ca broçkulla që vendosin copa letrash në shtylla tensioni se me demek po ndodh kjo, nuk shkon. I vendoset kryetarit të PD të një rrethi tritol në banesë dhe policia thotë që është çështje private. Del policia mbledh televizionet dhe thotë se bashkëshortja e kryetarit të një bashkie të rëndësishme të PD, është pronare e një dyqani dhe ka mall të vjedhur në dyqan. Kjo bëhet për të justifikuar një arrest që është gati si një rrëmbim, siç ishte çështja Mziu. Nuk ka shkelje më të rëndë sesa të dhunosh një familje në këtë mënyrë. Janë metoda të vjetra, të përdorura edhe gjatë Partisë së Punës, tregon rrezik për gjëndjen dhe nivelin respektimit të të drejtave të njeriut në këtë vend. Nëse ka një shkelje të përpjekjeve tona për demokraci dhe shtet ligjor është ajo që ka ndodhur në Drejtorinë e Tatimeve. Njeriu që është Ministër Financash cakton për kontroll dy këshilltarë kur ne kemi një legjislacion që përfshin disa shkallë dhe nivele sesi bëhet kontrolli” përfundoi Imami.