DPB dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, projekt kundër torturës
Një projekt i ri bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit ishte në qendër të takimit të sotëm mes krerëve të institucioneve përkatëse, Artur Zoto dhe Vjollca Mecaj dhe bashkëpunëtorët e të dy palëve.Në perspektivën e zgjerimit të këtij bashkëpunimi dhe efekteve më të frytshme, do të nisë këtë vit një projekt i ri 2-vjeçar, 2014- 2016, me fokus parandalimin e dhunës dhe torturës në burgje.Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve e mirëpriti dhe e gjeti me interes propozimin e një projekti të tillë, që sipas tij do të sillte një impakt mjaft pozitiv në sistemin penitenciar.“Jam i hapur për çdo bashkëpunim dhe ju falenderoj për kontributin që keni dhënë ju si Komitet, pasi kjo na bën të përmirësojmë cilësinë e ofruar në burgje. Besoj se ky projekt do të sillte një impakt në këtë drejtim”- u shpreh Zoto.Meçaj, nga ana e saj, u shpreh se bashkëpunimi i KSHH me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka qenë i vazhdueshëm, ndaj ky projekt është pjesë e fokusit të punës së këtij komiteti.Të dhëna mbi projektin“Së bashku kundër torturës në polici dhe burgje në Shqipëri” është projekti që pritet të nisë së shpejti zbatimin, i cili ashtu sikurse sugjeron edhe titulli, ka në fokus parandalimin, denoncimin dhe njohjen me format e dhunës. Ky projekt që përfshin edhe Policinë e Shtetit, mbështetet në 85% të tij nga fondet e Komisionit Europian dhe 15 % nga donatorë të ndryshëm. Ai do të marrë zhvillim në muajt pasues dhe do të shtrihet në 11 IEVPenale të vendit, konkretisht në Peqin, Berat, Korçë, Elbasan, Fushë Krujë, Vlorë, Rrogozhinë, Durrës, Lushnje dhe Lezhë.Projekti parashikon trajnimin e të dënuarve mbi të drejtat e tyre dhe njohjen e terminologjisë juridike për të bërë dallimin mes termave “keqtrajtim” dhe “torturë”, bazuar në rekomandimet e ndryshme të organizmave europianë në mbrojtje të të drejtave të të dënuarve.Ajo që ky projekt sjell ndryshe, në lidhje me trajtimin e të dënuarve në sistemin penitenciar, është ndërthurja e informacionit të shkruar me atë verbal, që do të zhvillohet në formën e trajnimeve në vetë mjediset e IEVP-ve. Gjithashtu, ai përfshin vizitat monitoruese nga KSHH, ndjekje të çështjeve më të spikatura në kuadër të dhunës në burgje, trajtim efektiv të ankesave dhe menaxhim mët ë mirë të incidenteve (greva, protesta, vetëvrasje etj).Trajnimi do të prekë edhe stafin e burgjeve, si atë të sigurisë, social e shëndetësor, duke patur kështu fokus multidisiplinar. Projekti do të bëhet në bashkëpunim me Qendrën e Trajnimeve të Burgjeve, ku do të ngrihet edhe një database i të trajnuarve që do të përfshihen në këtë projekt dhe që do të pajisen me një çertifikatë në përfundim të tij. Në mbyllje të projektit do të hartohet një Raport përmbledhës.