Koka: Ndëshkim atyre që dëmtojnë mjedisin.Sequi:Zbatimi i ligjit, i dobët

Bashkimi Europian bën thirrje që të tregohet kujdes me mbrojtjen e mjedisit. Ambasdori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, ka deklaruar se zbatimi i ligjit për këtë sektor është ende i dobët. Kreu i prezencës së BE-së në vendin tonë ngriti si problem dhe teknologjinë e vjetër që përdoret nga bizneset në vendin tonë, duke ndikuar negativisht në mjedis.“Progres-raporti njoftoi disa masa të rëndësishme për forcimin e kujdesit ndaj mjedisit. Legjislacioni i mjedisit nuk është implementuar ende i plotë dhe zbatueshmëria e tij është ende e dobët. Për të zgjidhur këto probleme, performanca e industrisë është shumë e nejvojshme. Vendi juaj është në vijim të zbatimit të legjislacionit të BE dhe ne presim që të rritet ndërgjegjësimi për mbrojtjen mjedisore. Kur bizneset nuk tregojnë këtë përgjegjshmëri, duhet të merren masa, pasi një zhvillim i qëndrueshëm është jetik për secilin vend, po kështu duke mbrojtur mjedisin. Ne kemi dhënë 140 milionë euro nga 2008 për mjedisin dhe jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë dhe për të ofruar asistencë teknike sipas marrëveshjes së MSA” tha Sequi.Kreu i Mjedisit, Lefter Koka, pranoi se ka shumë probleme në lidhje me mjedisin. Ministri paralajmëroi se do të ketë ndëshkime për ata që dëmtojnë mjedisin.“Problematika që ne konstatojmë sot me këtë industri funksionale është shumë e gjerë por lidhet kryesisht me ndotjen e ajrit nga aktivitetet industriale.Për Ministrinë e Mjedisit, ulja e nivelit të ndotjes nga sektori i industrisë është një cështje prioritare dhe për të arritur këtë objektiv kërkohet që: të rriten investimet për të përmirësuar teknologjitë dhe implementimin e teknologjive më miqësore me mjedisin. Kompanitë të jenë rigoroze në instalimin dhe vënien në funksion të impianteve të pastrimit të ajrit dhe ujërave. Në zbatim të parimit ndotësi paguan, që është aktualisht në legjislacionin shqiptar, ne si Ministri do të ndjekim me vëmendje cdo investim apo rehabilitim të mjedisit, që kanë si detyrim ligjor shumë komapani për ti bërë vecanërisht në fushën e pyllëzimeve . Ne kemi të dhëna se shumë subjekte ende ‘nuk kanë filluar pyllëzimet ndërkohë që me ligj janë të detyruar t’i realizojnë ato në një afat të caktuar. Me këto kompani do të insistojmë për zbatimin e plotë të ligjit dhe për vitin 2014 duhet të arrijmë mbjellim apo rehabilitojmë jo më pak se 500 ha pyje” tha ai.Kreu i mjedisit shtoi se po punohet për hartimin e një pakete kombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë, si dhe duke pasur në vëmendje mbrojtjen e mjedisit.