Çelet zyra e parë moderne e punës në Tiranë
Sherbimi Kombëtar i Punës i cili ka ekzistuar edhe më herët, është transferuar pranë Ministrisë së Kulturës me infrastrukturë dhe burimet njerëzore të nevojshme për të pritur punëkërkuesit.
Të gjithë të papunët ose të rinjtë që përfundojnë studimet mund të aplikojnë për punë, pasi në këtë zyrë janë të afishuar edhe vendet e punës të lira në sektorin publik, por dhe në bizneset private.
Kryeministri Edi Rama tha se në këtë zyrë vendoset një marrëdhënie e re mes shtetit dhe qytetarëve, më e afërt dhe më bashkëpunuese megjithëse edhe në këtë rast nuk do të mungojnë skeptikët.“Ngritja e zyrave për shërbimet e punësimit meriton vlerësimin më të lartë. Plaga e papunësisë sidoms tek të rinjtë është e thellë dhe dhimbjet e saj janë shumë të forta në trupin e brishte të shoqërisë sonë. Hapja e vendeve të reja të punës është prioriteti ynë më i madh që ka të bëjë me ndryshimin e modelit të zhvillimit ekonomik të vendit” tha Rama.Shefi i qeverisë shtoi se hapja e kësaj zyre moderne shpreh vendosshmërinë e qeverisë për të transformuar dhe modernizuar vendin.“Jam pothuajse i sigurtë për rrugën e transformimit dhe modernizimit të shtetit. Hapja e zyrës është shprehja e vendosshmërisë së qeverisë. U deshën 20 vjet për të hapur një zyrë të tillë dhe ne e realizuam në 100 ditët e para të qeverisjes sonë.Kjo zyrë do të na vlejë të gjithëve edhe si një eksperiencë, për çfarë mund të bëjnë më mire, qeveria, punëndhënësi dhe punëkërkuesi. Kjo zyrë do t’i vlejë edhe Agjencisë federale të Punësimit për të thënë çfarë mund të bëjmë më mirë ne shqiptarët” shtoi Rama.Edhe pse vendet vakante mund të jenë jo ata që presin dhe duan të punësohen të rinjtë, Ministri Erion Veliaj inkurajon që punëkërkuesit të pranojnë alternativat e para për të pasur filimisht një punë pa pretendime të larta.
“Më mirë është të punosh, me çfarëdo page sesa të rrish kafeneve dhe të luash bixhoz. Madje puna e parë është një mundësi fantastike për të filluar karrierën. Ndoshta puna e parë nuk është puna e ëndrrave tuaja, por as Edi Rama nuk nisi punën e parë si kryeministër, as Ettore Sequi nuk nisi punën e parë si ambasador” tha Veliaj.Ndërsa Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, tha se duam që Europa dhe Shqipëria të shkojnë drejt së ardhmes jo me frikë, por më shpresë.
“Duam që Europa dhe Shqipëria të shikojnë drejt së ardhmes me shpresë e jo frikë. E ardhmja i përket atyre që suksesi është rezultat jo i koincidencave por ndryshimit “- tha Sequi.Sipas Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë në këtë zyrë janë të publikuara 2,180 vende pune dhe 6344 punëdhënës. Kjo zyrë është ngritur në bashkëpunim mes Agjencisë gjermane të punës dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit.Jo më larg se 10 m ku autoritetet e qeverisë morën pjesë në këtë inagurim, 12 specialistë të shërbimeve të punësimit protestuan për pushimin nga puna. Ata i kërkuan Kryeministrit të jepte shpejgime për këtë.
Z .Rama u largua pas ceremonisë me eskortën e tij, ndërsa Ministri Erion Veliaj tha se këta punonjës mund ta apelojnë çështjen në organet kompetente dhe se Ministria nuk punëson njerëz politik, por ata që janë të papunë.
