Arsenali rikthehet në krye të Premier League
Arsenali është rikthyer sërish në vendin e pare, aty ku mbretëron në gjithë sezonin . Skuadra e Arsen Venger mposhti 2-1 Aston Vilën në një transfertë mjaft të vështirë. Pjesa e parë u dominua nga topçinjtë, të cilët pasi administruan lojën kanë arritur të shënojnë dy gola brenda një minute.Monreal dhuroi një top të mirë nga e majta, Cazorla më pas pasoi te Jack Wilshere që në minutën e 34-të arriti të zhbllokoj rezultatin. Skuadra e Venger më pas do të shënonte edhe golin e dytë. Wilshere përsëri ishte protagonist. Ai dhuroi një assist te Olivier Giroud , që pas një veprimi mjaft të bukur do të shënonte golin e dytë të takimit.Në fraksionin e dytë të ndeshjes, topçinjtë më shumë u kujdesën për të ruajtur rezultatin, ndërkohë që vendasit ishin më të rrezikshëm. Në minutën e 76-të, Kristian Benteke ngushtoi diferencën e golave, por deri në mbyllje të sfidës Aston Villa nuk do të shënonte më një gol tjetër. Arsenali në këtë mënyrë mori hak për humbjen e ndeshjes së parë të kampionatit ndaj kësaj skuadre.Pas kësaj fitoreje, Arsenali ka 48 pikë, një më shumë se Manchester City dhe dy më shumë se Chelsea.