Ronaldo: E meritova çmimin
Cristiano Ronaldo është shprehur se e ka merituar çmimin “Topi i Artë”, pasi ai u shpall lojtari më i mirë i botës për vitin 2013 në ceremoninë që u mbajt në Zurich. Ylli i Real Madridit mposhti Lionel Messin dhe Franck Riberyn për të pranuar këtë çmim për herë të dytë në karrierë, pesë vjet pasi e kishte fituar sa ishte lojtar i Manchester United.Në fjalën e tij gjatë marrjes së çmimit, Ronaldo mori me vete dhe djalin e tij teksa deklaroi i përlotur."Mirëmbrëma të gjithëve, nuk gjej fjalë për të përshkruar këtë moment.Jam shumë i lumtur, falënderoj të gjithë shokët e mi te Reali, familjen time, që është këtu sonte. Është një nder i jashtëzakonshëm. Mund ta dini sa e vështirë është të fitosh këtë trofe. Falënderoj njerëzit e mi, presidentin. Dua të kujtoj dhe Eusebion, dua të falënderoj Irinën, djalin tim që është me mua në skenë dhe është një moment shumë i emocionuar për mua. Nuk arrij të shprehem dot. Faleminderit të gjithëve."Më pas në intervistën e tij për mediat, portugezi u shpreh se ai e meritonte këtë trofe."Nëse njerëzit ma dhanë këtë çmim, natyrisht se është e vërtetë që e meritova. Messi dhe Ribery e merituan çmimin gjithashtu, por unë e fitova. Jam shumë i lumtur me “Topin e Artë” dhe do ta ndaj këtë çmim me Real Madridin", ka thënë ai."E pash nënën time, dhe ajo po qante. Provova ta kontrolloj veten, por edhe unë fillova të qaj. Topi i parë i Artë ishte i rëndësishëm, por ky është më emocionues sepse para meje ishte nëna ime dhe djali im". Ronaldo me këtë fitore i dha fund dominimit të Messit. Portugezi e kishte fituar çmimin në vitin 2008.