Pepe i jep fitoren Realit, Atletiko dhe Barça ndahen në "paqe"

Real Madridi është kthyer fuqishëm në garën për titullin e La Ligas pas fitores prej 1-0 kundër Espanyolit në “Estadi Cornella-El Prat”.Madrilenët hedhin  në fushë të gjithë yjet, të udhëhequr nga Ronaldo e Bale. Megjithatë në fushë madrilenët janë të varfër në lojë dhe nuk krijojnë shumë duke konfirmuar se Espanyol mbetet një ekip i vështirë për ta. Nëse i shton këtu më pas dhe rastet e shpërdoruara nga Ronaldo e Di Maria, atëherë ndeshja komplikohet akoma më shumë për kryeqytetasit.10 minuta pas fillimit të fraksionit të dytë, Luka Modric dërgon një top të bukur për te Pepe që shënon golin e avantazhit dhe të fitores. Dyshja Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale nuk u treguan në formën e tyre më të mirë, ndërsa uellsiani u largua në pesëmbëdhjetë minutat e fundit dhe vendin e tij e zuri Jese Rodriguez. Ronaldo humbet një rast të artë sërish përballë portierit katalanas në minutën e 80-të. Portugezi bën diçka të pazkontë në minutën 90-të, kur me portën bosh e dërgon topin jashtë kuadratit. Deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit nuk u shënuan gola të tjerë dhe Mbretërit arkëtuan pikë shumë të rëndësishme. Pas kësaj fitoreje, Real Madridi e ka ngushtuar diferencën në tre pikë me dy kryesuesit, Barcelona dhe Atletico Madrid.Ndërkohë ka përfunduar pa gola kryendeshja e javës së 19-të në La Liga, ndërmjet Atletico Madridit dhe Barcelonës, që u zhvillua të shtunën mbrëma në “Estadio Vicente Calderon”. Tata Martino e filloi sfidën me dyshen, Leo Messi dhe Neymar, në stol, ndërsa sulmin e përbënin Pedro, Fabregas dhe Sanchez.Në anën tjetër, në sulmin vendas ishte i pranishëm ish-sulmuesi katalunas, David Villa, që shoqërohej nga Diego Costa dhe Arda Turan. Gjysma e parë nuk prodhoi gola, por nuk mungoi spektakli kur kemi parasysh se u ndeshën dy skuadrat nga kreu i tabelës në La Liga.Pas pushimit, hyri edhe Lionel Messi në vend të Andres Iniestas, ndërsa më vonë (67'), Alexis Sanchez ia lëshoi vendin Neymarit. Atletico ishte disi më superiore se Barcelona, por në fund ishin miqtë që humbën mundësinë e artë.