Tjetër plan arratie nga Drenova, sharra dhe celularë në burgun e sigurisë së lartë

Parandalohet një tjetër skenar arratisje nga burgu i Drenovës në Korçë. Burime nga burgu i sigurisë së lartë, bëjnë me dije se në sektorin e paraburgimit, janë gjetur 4 sharra hekuri.Mjetet prerëse u gjetën rreth orës 23:00 gjatë kontrollit të ushtruar nga grupi i kontrollit i mbërritur nga Tirana, i cili kaloi në veprim pas informacioneve të SHKB së burgjeve për mundësinë e organizimit të një tjetër arratisje.Dyshimi përforcohet edhe më tepër në kushtet kur sharrat u gjetën në qelitë e  të burgosurve të cilët ndihmuan në arratisjen e bujshme të nëntorit. Krahas sharrave, mësohet gjithashtu se në qeli u gjetën dhe 2 aparate celularë.“Më dt. 10.01.2014, ora 21:00- 23:00, grupi i DAP-it ka kryer një kontroll në IEVP Drenovë, Korçë, nga ku ka rezultuar gjetja e sendeve të ndaluara. Nga kontrolli i ushtruar në regjimin e brendshëm të të dënuarve në sektorin e sigurisë së lartë dhe sektorin e paraburgimit, grupi i Transferim- Shoqërimeve dhe Sigurisë (DAP) të D.P.B, nën drejtimin e Drejtorit të Policisë së Burgjeve, z. Pal Marku, janë gjetur dy telefona celularë, që i përkisnin të dënuarve Durim Leka dhe Almarin Muça.Gjithashtu, nga kontrolli në sektorin e paraburgimit u gjetën katër fletë sharre të fshehura në një kuti shahu, që i përkisnin shtetasve Olsian Maçi, Albi Maçini, Ervis Lami e Daniel Kambellari. Për të dyja rastet u përpilua raport- shërbimi, u mor masa disiplinore e veçimit, si dhe u njoftua Prokuroria e Korçës. Për këtë ngjarje kanë nisur tashmë hetimet dhe media e publiku do të informohen në vazhdimësi” informoi përmes një njoftimi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.Në nëntor të këtij viti 7 të burgosur me në krye Admir Tafilin u arratisën nga burgu i Drenovës, për tu arrestuar më pas policia.