Panariti vizitë në qarkun e Fierit: Ja projektet tona për këtë 6 mujor në bujqësi

Ministri i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti zhvilloi një vizitë në qarkun e Fierit, duke e nisur turin e vizitave të tij në gjithë vendin pikërisht me zonën e Myzeqesë që është zemra e bujqësisë shqiptare.“Vizita ime e parë nuk mund të ishte gjetkë përvec se në qarkun e Fierit pasi ky qark zë një peshë përcaktuese në zhvillimin e bujqësisë shqiptare, rreth 25 % e prodhimit të përgjithshëm bujqësor vjen nga ky qark”, u shpreh Ministri Panariti.Ai fillimisht zhvilloi një takim me specialistët e bujqësisë në këtë qark, përfaqësues të drejtorisë së bujqësisë, përfaqësues të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të Bordit të kullimit ku u diskutuan objektivat dhe sfidat për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.Pasi dëgjoi shqetësimet e specialistëve të bujqësisë që kishin të bënin me investimet që kërkohen nga shteti për forcimin e argjinaturave, për pastrimin e kanaleve të kullimit dhe për dërgimin e ujit në parcelë në gjithë këtë qark, vënia ne efiçencë e laboratorëve për kryerjen e analizave mbi monitorimin e mbetjeve në bimë, etj, Ministri Panariti u shpreh:“Ka disa projekte që do lançojmë në qarkun e Fierit këtë vit. Synimi kryesor është ndryshimi i situatës në projektet kulluese e vaditëse në këtë zonë. Do bëhen ndërhyrje rrënjësore për përmirësimin e situatës, si përmirësimi i sistemit vaditës në zonën e Libofshës, ndërhyrje në kanalin Vjosë-Levan, puna për të cilin ka nisur tashmë. Synojmë investime në argjinatura dhe të gjitha këto synojnë në funksion të ambicies sonë për të çuar ujë në cdo parcelë. Së dyti do mbështesim fermerët me subvencione për produktet e tyre. Po punojmë për një skemë të shpërndarjes së naftës me çmim të favorshëm për fermerët, por para se ta implementojmë duam të kemi garanci absolute që kjo naftë shkon vetëm për nevojat e fermerit dhe mekanikën bujqësore dhe jo të abuzohet. Brenda janarit do shpallim skemën e mbështetjes së inputeve për fermerët. Skemat tona të mbështetjes do mbështesin jo vetëm përpjekjen por edhe rezultatin. Pra përveç mbështetjes së fermerëve me farat, plehrat kimike dhe naftën me çmimin të favorshëm do mbështesim fermerin për prodhimin në pikat e grumbullimit. Pra pasi ta ketë dorëzuar fermeri produktin do marrë subvencionin në bazë të cilësisë dhe peshës së produktit të tij” - u shpreh Panariti.Ai shprehu besimin se bujqësia vazhdon të ruajë trendin e saj pozitiv të zhvillimit dhe statistikat e fundit tegojnë se në këto tre muaj, bujqësia ruan një rritje domethënëse prej 3 %. Dhe sfida për këtë vit është që kjo rritje të jetë e madhe, e qëndrueshme dhe bujqësia të luajë rolin e saj vendimtar në zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare. Objektiv madhor është përmirësimi i biliancit tregtar në fushën e Bujqësisë. Ky bilanc vazhdon të jetë negativ, në raportin 1 me 7 përsa i përket eksport-importit objektivat tona janë që ky bilanc të përmirësohet në kah të pozitivitetit.Ministri Panariti më tej vizitoi një fermë model në periferi të Fierit, e cila prodhon sallatëra dhe lloje të ndryshme erëzash të gjitha të destinuara për tregun danez. Ministri u shpreh i impresionuar nga investimi madhështor në këtë fermë dhe u shpreh se modele të tilla i duhen Shqipërisë.“Vizitova këtë fermë që do shndërrohet së shpejti në ‘kopshtin e gjelbër shqiptar’. Gjithë ky prodhim ka një treg të garantuar, tregun danez, etiketohet me ambalazhin “Made in Albania” dhe është kartvizitë e bujqësisë shqiptare në tregun e huaj. Janë 6 hektarët e parë dhe së shpejti do ketë zgjerim me 6 hektarë të tjerë në mënyrë që të kemi shtrirje të këtij kultivimi që kërkohet me shumë ngulm nga tregjet e huaja. Kultivohen loje të ndrysjme sallatërash me fara të zgjedhura, dhe me teknologji bashkëkohore që garanton renditimente të larta dhe aplikohen standardet më të larta të sigurisë ushqimore me ambalazhim perfekt dhe një zinxhir që përfundon direkt në tregjet evropiane. Ky është modeli që synojmë të instalojmë në gjithë qarkun e Fierit. Ne si Ministri e Bujqësisë bëhemi garant që ky produkt pasi të prodhohet të arrijë tregjet perëndimore, dhe ky është premtimi që u bëjmë të gjithë fermerëve, që të stimulojmë këtë lloj modeli edhe për ta” tha Panariti.