Shtohen hapsirat e gjelbërta, Bashkia e Tiranës: Po zëvendësojmë betonin

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi, ka inspektuar sot mbjelljen e 70 pemëve dekorative në rrugën “Medar Shtylla” në kryeqytet. Nënkryetarja Xhindi bëri të ditur se mbjella e këtyre pemëve dekorative po bëhet në kuadrin e projektit të startuar tashmë nga Bashkia e Tiranës që në vitin 2011.“Sot, në këtë rrugë vazhdon aksioni për mbjelljen e drurëve dekorativ. Janë 70 dru që po mbillen përgjatë rrugës “Medar Shtylla”. Kjo bëhet në kuadrin e një projekti të madh që Bashkia e ka filluar që në vitin 2011 dhe po e vazhdon. Sivjet kemi një projekt prej 4 mijë drurësh, bimësi dekorative dhe deri më tani në dy vjet, Bashkia ka mbjellë 12500 dru dhe 10600 bimësi dekorative”-u shpreh Xhindi.Gjithashtu nënkryetarja Xhindi rikonfirmoi angazhimin e Bashkisë për të shtuar hapësirat e gjelbërta në kryeqytet dhe për t’i shtuar ato dita-ditës.“Bashkia në këto dy vitet e fundit, në vend të derdhjes së betonit siç u aplikua përpara 2011-s, ku vetëm derdhej beton në të gjithë Tiranën, sot kjo bashki ka shtuar sipërfaqet e blerta në 26 mijë m2 dhe do të shtohen edhe më shumë. Ky është një projekt që do të vazhdojë dhe unë dhe ju bashkë do të jemi dëshmitarë që Tirana do të ketë në vazhdim përherë e më shumë sipërfaqe të blerta”-përfundoi Xhindi.