SHSSH kallëzon në Prokurori shkeljet me ndihmën ekonomike dhe PAK në Leskovik
Shërbimi Social Shtetëror i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kallëzoi në Prokurorinë e Rrethit të Korçës Përgjegjësen e Seksionit të Ndihmës Ekonomike dhe të Personave me Aftësi të Kufizuar, Bashkia Leskovik, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës.Nga kontrolli i ushtruar nga auditi i Shërbimit Social Shtetëror ka rezultuar se 35 për qind e skemës së ndihmës ekonomike dhe 73 për qind e skemës së aftësisë së kufizuar është abuzive. Më konkretisht, 43 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në Bashkinë e Leskovikut e kanë përfituar atë në shkelje me kriteret e përcaktuara ligjore, ndërsa janë vërejtur 62 raste të invalidëve të punës me mungesë dokumentacioni.Gjatë kontrollit të dosjeve të personave me aftësi të kufizuara rezultoi se nga 38 persona që trajtohen me pagesë paaftësie në Bashkinë e Leskovikut, 24 prej tyre e kanë përfituar atë në shkelje të kritereve ligjore.Sipas vlerësimit paraprak, për periudhën e kontrolluar, këto shkelje ligjore i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit gjithsej një dëm prej 3.732.381 lekë. Veprimet e mësipërme ngarkojnë me përgjegjësi Administratoren e Ndihmës Ekonomike dhe të Aftësisë së Kufizuar të Bashkisë Leskovik.Në përfundim të këtij kontrolli, Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë që do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera.Shërbimi Social Shtetëror vazhdon kontrollet e skemës së Ndihmës Ekonomike dhe Pagesave të Aftësisë së Kufizuar dhe do të kallëzojë në Prokurori të gjitha shkeljet e gjetura në skemën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar.