“Borxhe” të trashëguara ndaj sistemit të mirëqenies
Parashikimi në buxhet i një zëri të veçantë për shlyerjen e faturave të papaguara ndaj sipërmarrjes është një përgjegjësi e madhe qeverisëse dhe kombëtare. Sipërmarrja është gjeneratori i zhvillimit, i cili duhet të punojë e të prodhojë normalisht. Duke hequr me vetëdije 39 miliardë lekë nga destinimi i mundshëm për shërbime publike jetësore, qeveria mori përsipër një përgjegjësi të qeverisë së mëparshme. Por në borxh nuk është vetëm qeveria. Sipërmarrja private është gjithashtu në borxh me qeverinë. Referenca të ndryshme ndaj burimeve zyrtare e vlerësojnë këtë borxh sa dyfishi i borxhit të qeverisë ndaj sipërmarrjes. Sidoqoftë, borxhet financiare janë të llogaritshme dhe të matshme. Sipërmarrja dhe qeveria mund ta gjejnë gjuhën me njëra-tjetrën. Por kush dhe kur do ta shlyej “borxhin” që qeveria që iku u ka lenë interesit publik dhe qytetarëve?Borxhi i parë: 70 për qind e të punësuarve: me pagë minimaleNë asnjë ekonomi të botës nuk mund të gjendet një situatë e tillë, kur rreth 70 për qind e të punësuarve paguhen me pagë minimale. Në një ekonomi normale kjo shifër është zakonisht njëshifrore dhe do të jepej alarmi nëse do të rritej në dyshifrore. Edhe këtu përgjegjësia është e dyanshme: e sipërmarrjes dhe e qeverisë. Kjo tregon për një mentalitet shfrytëzues të sipërmarrësve shqiptarë, i inkurajuar në mënyrë të tërthortë edhe nga politikat e paqarta të qeverive, raportet në disa raste armiqësore dhe në raste të tjera klienteliste me sipërmarrjen. Duke nuhatur këtë sjellje të qeverisë, mjaft sipërmarrës privatë shkojnë deri atje sa nuk u paguajnë punëtorëve as pagën minimale. Një praktikë e tillë është rrënjosur prej vitesh dhe prej saj nuk po delet me konsensusin e heshtur të të dy palëve. Ky është një “borxh” që sipërmarrja dhe qeveria u kanë qindra-mijëra punëtorëve shqiptarë, të cilët “paguhen” me pagë minimale fiktive. Dhe nëpërmjet tyre, gjithë familjeve shqiptare, për të ardhurat e munguara në buxhetet e tyre.Borxhi i dytë: 465 mijë kontribues të munguar në skemën e pensioneveSipërmarrja është “borxhli” ndaj sistemit të mirëqenies së shqiptarëve me rreth 465 mijë kontribues të munguar në skemën e pensioneve. Nga rreth 1,1 milion persona që është forca e punës, kontribues në skemën e pensioneve janë aktualisht rreth 651 mijë. Të tjerët janë punëtorë informalë. Por puna informale ushqehet nga ekonomia informale. Dhe ekonomia informale ushqehet nga sipërmarrja private. Natyrisht, përgjegjësia e këtij “borxhi” nuk është vetëm e sipërmarrjes. Faktikisht, përgjegjësinë më të madhe e kanë agjencitë e qeverisjes që merren me pensionet dhe grumbullimin e kontributeve. Performanca e tyre e dobët i kushton buxhetit të shtetit, i kushton sistemit të mirëqenies, por u kushton edhe qytetarëve. Financimet nga buxheti i shtetit në fondin e sigurimeve shoqërore për vitin 2012 arritën në rreth 220 milionë USD. Shumica e këtyre financimeve kanë ardhur nga kontribuuesit e munguar të skemës së pensioneve. Pra, mosmungesa e këtyre kontribuesve mund të “përkthehej” në pensione më të larta, paga më të larta dhe investime publike.Borxhi i tretë: në financimin për formimin e fuqisë punëtoreVendet që kanë bërë histori në mbajtjen në nivele të ulëta të papunësisë, si Gjermania dhe Britania e Madhe, nuk janë bërë të tilla me magji. Një prej çelësave të këtij suksesi është ndërtimi i një sistemi modern të arsimit dhe formimit profesional. Ky sistem prej vitesh është kryesisht privat. Sipërmarrja në këto vende nuk e konsideron formimin e fuqisë punëtore si kosto për të, por si një investim afatgjatë. Sot në ekonomitë e zhvilluara konkurrohet me aftësi dhe shprehi, të cilat krijohen nga një sistem modern formimi profesional, në të cilin sipërmarrja private financon deri në 70 për qind të shpenzimeve. Dëshironi ta paraqesim në formë shifrash edhe këtë “borxh” që qeveria dhe sipërmarrja i kanë fuqisë punëtore: pa llogaritur të papunët e fshehtë, ne u ofrojmë një të ashtuquajtur formim (pra jo se formojmë profesionalisht) rreth 7 për qind të të papunëve zyrtarë, që llogarisin INSAT dhe SHKP. Dhe, a e dini se cili është niveli i punësimit të tyre pas formimit? Rreth 17 për qind. Kundrejt 70 për qind që është ky tregues në vendet e BE-së. Prandaj, krahas borxheve ndaj njëri-tjetrit, qeveria dhe sipërmarrja duhet të mendojnë edhe për “borxhet” e përbashkëta ndaj sistemit të mirëqenies që ua “ka lënë në derë” qeveria e mëparshme./Burimi: mapo.al/