Mustafa: Mbledhja e 2 qeverive me rëndësi për shqiptarët e Preshevës
Ragmi Mustafa, kryetari i komunës së Preshevës e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës në Prizren.Në një linjë telefonike për “Ora News”, Mustafa theksoi se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të kenë një vëmendje të veçantë nga dy qeveritë në mënyrë që të jetojë.“Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të interesuar që gjithmonë dy shtetet si Shqipëria dhe Kosova të mbajnë qëndrime të përbashkëta në lidhje me shqiptarët në trojet e tjera sepse Lugina e Preshevës në krahasim me rajonet e tjera është në një pozicion më diskriminues në Ballkan nga autoritetet qeveritare në Beograd. Dhe përderisa shqiptarët e Luginës janë të lënë pas dore nga qeveria serbe atëherë domosdoshmërisht duhet të kemi një kujdes të veçantë nga dy qeveritë në mënyrë që të mbijetojë populli shqiptar në Preshevë. Dhe në këtë kontekst mbledhja që do të mbahet nesër mes dy qeverive në Prizren është shumë e rëndësishme jo vetëm sepse zhvillohet në një qytet historik por është interesante sepse për herë të parë bëhet një mbledhje e përbashkët e 2 qeverive ku në tryezë do të bisedohet edhe për Preshevën” u shpreh ai.Gjithashtu, Mustafa vlerësoi edhe iniciativën për ngritjen e maternitetit në Preshevë si dhe krijimin e një fondi për zhvillimin e Luginës ndërsa kërkoi angazhim e dy qeverive për mbrojtjen e shqiptarëve në këtë zonë."Meqë Shqipëria në kushtetutën e saj e ka të mbrojë shqiptarët edhe jashtë teritorit të saj duhet të marrë edhe hapat për të mos lejuar diskrimin e shqiptarëvve në Luginën e Preshevës" tha Mustafa.