Po qëndruan në burg ata si Nazimja, do të jenë të lirë ata që therin gratë
1.Muhamed Tuglaku, sulltani i Dehlit, donte t’ia kalonte për nga lavdia Aleksandrit të Madh dhe Napoleonit: dërgoi një ushtri prej 100 mijë kalorësish të pushtonte Kinën dhe Himalajat- ushtria u shkatërrua. Shpëtuan ndo 10 ushtarë që u kthyen në Dehli e i dhanë lajmin e vdekjes së pothuaj të gjithë ushtrisë. Këta dhjetë burra, u ekzekutuan nga sulltani. Antipatia e njerëzve të pushtetshëm ndaj të mbijetuarve është; Çdo mbijetesë e shohin sikur u përket atyre dhe vetëm atyre.
2. Bashkimi Europian na paska thënë: të futen në burg të korruptuarit; ose luftë kundër korrupsionit…etj.
Nuk ka të korruptuar në Shqipëri. Ku t’i gjejmë që të mbushim burgjet? Në Shqipëri, jetojnë vetëm njerëz të ndershëm, të mendjekthjellët, me vullnet dhe me profil të padiskutueshëm.Atëherë, si t’ia bëjmë që të bindim BE që e kemi luftuar korrupsionin, vjedhësit e talentuar të pushtetit?3. Futet në burg një Nazime pse mbijetoi nga një dhunë e vazhdueshme; Futet në burg një i mjerë i kësaj shoqërie, që, atje, në qeli, kupton se “ka shpëtuar”. As halle, as fukarallëk, as punë, përkundrazi, mëson ndonjë zanat.Ka lidhje mes argumenteve?- mund të pyesë ndonjë kureshtar.Shumë. Në Albakakinë tonë të dashur, jetojnë disa Muhamed Tuglakër, që ngecin në atë frikën e tyre se po e nxorën jashtë burgut Nazime Vishën, do ta marrë lavdinë një shkrimtar, një gazetare, një shoqëri e sensibilizuar. E pastaj, kjo dallgë e madhe arsyetimi e opinionit shoqëror, i bën të duken të vegjël si cironka dale nga uji, ata që kanë në dorë gjestin – ndër të rrallët që ndoshta bëjnë në jetë- të Guxojnë e t’i japin shansin e një drite në fund të tunelit një jete të shkatërruar.Sepse, po qëndruan në burg njerëz si Nazimja dhe të rrinë të lirë vrasës që therin gratë, fatorinot, apo kamerierët, balerinat apo shuajnë familje të tëra, gjyqtarë që lirohen pa u futur në burg, pse nuk mbajnë në burg kriminelë – atëherë, më ndje i dashur atdheu im –Albkakia- po, ju lutem:4. Futmëni mua në burg dhe lironi Nazimen! Sinqerisht e kam këtë, sepse jam një grua që kam marrë dhe i kam dhënë jetës: jam shkolluar, kam punuar, jam dashuruar e martuar, kam nxjerrë fëmijët në jetë… kam pesëdhjetë vjet e lirë. Futmëni në burg dhe do fitoj atje, se do njoh ata lloje njerëzish që nuk i njoha jashtë: të pambrojturit, të mbijetuarit, të dobëtit, të pafuqishmit për të korruptuar një avokat apo një gjyqtar, një zyrtar apo një qeveritar të lartë.Futmëni mua në qelinë e Nazime Vishës dhe jepini një mundësi asaj plake të mjerë të jetojë vashërinë, të studiojë, të punojë, të njohë të paktën një njeri të mirë në jetën e saj.Nazimja dhe historia e saj është si ata dhjetë ushtarët që u kthyen në Dehli – Pse duhet flijuar?5.BE si “Gostia mortore e Domicianit”. Domiciani, perandori romak thirri ne një gosti parinë e Romës në një sallë ku tavani, muret dhe dyshemeja ishin bojatisur me kallaj të zi. Për secilin një disk me emrin e secilit si rrasë varri; një shërbyes i veshur si fantazmë; u sollën gjellërat që shërbehen për mort; i përcolli nëpër shtëpia pas darke me shoqëruesit e vet – i tmerroi deri në fund, por i la gjallë.(Albkakë të dashur që mund ta ndryshoni konceptin për burgun dhe të burgosurit – o bëhuni vetvetja dhe shkuleni frikën e të plotpushtetshmit, ose shënoni emrin e futuni ne burg…!)
/Burimi: mapo.al/