Pacolli: Mitrovica meriton të trajtohet me prioritet
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë një vizite në Mitrovicë, ka premtuar mbështetje me të gjitha kapacitetet për projektet zhvillimore, në mënyrë që kjo komunë të prosperoj sa më shpejt."Rrethanat në të cilat kanë jetuar qytetarët në këtë komunë kanë qenë tepër të rënda këto vite, andaj Mitrovica dhe mitrovicasit meritojnë të trajtohen me prioritet", ka thënë Pacolli.Ai theksoi se duhet të shfrytëzohen resurset që ka Mitrovica, të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik në këtë rajon."Mundësitë janë të mëdha, por duhet punë dhe përkushtim", tha ai, duke shprehur besim në kryetarin Agim Bahtiri dhe projektet e tij zhvillimore.Në këtë kontekst u përmend zgjidhja e statusit të ndërmarrjes "Trepça" si dhe krijimi i "Zonës së lirë ekonomike", të cilat do ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik në këtë komunë.Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka falënderuar zëvendëskryeministrin Pacolli për mbështetjen që po ofron për Mitrovicën."Ne jemi shumë të vendosur të bëjmë Mitrovicën një komunë lidere sa i përket investimeve në Kosovë", tha ai.Sipas tij, qytetarët e Mitrovicës janë duke manifestuar vendosmëri për të ndërtuar të ardhmen."Ne të gjithë së bashku do të punojmë që ndodh një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik, që të hapen vende të reja pune dhe të gjithë të jetojmë më mirë", theksoi Bahtiri.