BE: Inaugurimet në veri sipas ligjeve të Kosovës

Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri zhvilloi pasditen e së premtes takime bilaterale me përfaqësuesit e BE-së të kryesuar nga Ana-Maria Boura.Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, temë e bisedave ishte zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit “në harmoni me ligjet e Kosovës për çështjen e inaugurimit dhe funksionalizimit të organeve të reja komunale”, me theks të veçantë në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës.“Ne kemi marrë garancitë se BE mbështetë fuqishëm respektimin e ligjeve të Kosovës nga ana e organeve të reja komunale, si në procesin e inaugurimit, po ashtu edhe të funksionalizimit të tyre”, ka thënë Tahiri.Përfaqësuesit e BE-së kanë theksuar se “Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe mbështetet në ligjet e Kosovës”.“Prandaj, ashtu siç janë mbajtur zgjedhjet me ligjet e Kosovës duhet që edhe inaugurimi dhe funksionimi të behet në pajtim të plotë me to”, citohet të kenë thënë ata.BE ka njoftuar gjatë pasdites kanë zhvilluar në Bruksel një takim me delegacionin e këtyre komunave te kryesuar nga kryetari i Zveçanit, të cilëve BE-ja ua ka komunikuar qëndrimin e qartë se organet e reja komunale duhet t`i respektojnë ligjet e Kosovës gjate inaugurimit dhe konstituimit të tyre.Delegacioni i Kosovës i bëri me dije BE-në se në rast se do të ndodhë që të mos përfillen ligjet e Kosovës nga ana e ndonjë kryetari të zgjedhur apo anëtarëve komunalë, Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndërmerr masat adekuate ligjore duke i shpallur ato jolegale.Takimet me BE-në do të vazhdojnë edhe nesër për të përmbyllur këtë proces në harmoni me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit.