Me pikëpyetje seanca inauguruese në veri të Kosovës
Është ende në pikëpyetje nëse do të mbahen apo jo seancat për konstituimin e kuvendeve komunale të dala nga zgjedhjet për pushtetin lokal ne veri të Kosovës, e ndërsa kryetarët e zgjedhur të komunave me shumicë serbe kanë njoftuar për sot këto seanca. Ndërkohë gjatë betimit nuk do të ketë asnjë shenjë identifikuese të Kosovës. Deputetët shqiptarë dhe ata të komunitetit boshnjak thanë se do të bojkotojnë seancat, duke kërkuar që ato të organizohen në bazë të ligjeve të Kosovës.Mbledhjet ishin planifikuar të mbaheshin më 24 dhjetor, por ato u shtynë për shkak të siç është thënë parregullsive në proceset përgatitore të tyre. Ftesat që në dhjetor u ishin dërguar këshilltarëve komunal kishin simbole të strukturave paralele që duhet të shuhen me krijimin e komunave të reja dhe kjo ishte cilësuar e papranueshme nga autoritetet në Kosovë.Prishtina zyrtare kërkon që seancat përuruese të mbahen në pajtim me ligjet e Kosovës në bazë të të cilave janë mbajtur edhe votimet në veri. Çështja u diskutua të enjten në Bruksel në takimin e grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, por pa ndonjë marrëveshje. Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri paralajmëroi që në rast të mospërfilljes së ligjeve të Kosovës nga ana e ndonjë kryetari të zgjedhur apo anëtareve komunal atëherë Qeveria e Kosovës do të ndërmerr masa ligjore duke i shpallur ato të paligjshme, që nënkupton organizimin e zgjedhjeve të reja në zonë.Përfaqësuesit e partive politike serbe presin që të premten të mbahen seancat përuruese dhe ngulin këmbë që ato të jenë të paanshme ndaj statusit politik të Kosovës, pra pa simbole shtetërore të saj e as të Serbisë.Shumicën në katër komunat veriore të Kosovës e ka fituar Nisma qytetare serbe, një subjekt politik i mbështetur nga Beogradi, i cili u pajtua me përfshirjen e atyre komunave në zgjedhjet komunale të Kosovës në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Sipas marrëveshjes së arritur në ato bisedime, pritet që deri në muajin shkurt të krijohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, që do të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie, ndonëse Prishtina zyrtare ngulë këmbë se ai nuk do të ketë pushtet ligjvënës dhe ekzekutiv.