Kërkime për terroristin grek, përfitoi nga leja e burgut për tu arratisur
Policia greke ka kaluar në gjendje alarmi ndërsa po bëhen kërkime intensive për gjetjen dhe arrestimin e pjesëtarit të organizatës terroriste 17 nëntori, Christodulos Ksyros, i cili është arratisur që nga dita e hënë, duke shfrytëzuar lejen që i ishte dhënë nga burgu ku po vuan dënimin.
Ksyros kishte marrë leje nëntëditore nga burgu më 1 janar 2014. Sipas vendimit të gjykatësit, lejet jepen me kusht që i burgosuri të paraqitet çdo ditë në rajonin e policisë në Kalikratia Halkidiki, që Christodulos Ksyros kishte deklaruar si vendbanim.
Sipas autoriteteve greke në gjithë lejet që kishte marrë deri tani, Ksyros ishte korrekt dhe gjithmonë ishte kthyer në burg.
Por të hënën ai nuk u paraqit, ashtu siç ishte i detyruar, në rajonin e policisë dhe kjo i vuri policët në lëvizje për gjetjen dhe arrestimin e tij me akuzën e thyerjes së lejes nga i burgosuri.