Kosovë, dy prej tre babagjyshëve grabitës, vihen në pranga në Prizren

Dy prej tre babagjyshëve grabitës janë vënë në pranga në Prizren. Tre personat natën e 26 dhjetorit të vitit të kaluar tentuan të vjedhin një argjendari, ndërsa plagosën pronarin e saj dhe një tjetër persona që ndodhej në dyqan. Vetëm sot policia e Prizrenit ka arritur të vërë në pranga dy prej 3 autorëve të ngjarjes së rëndë. Sipas mediave në Kosovë personat e arrestuar dyshohet të jenë autorët edhe të grabitjes së një qendre tregtare në Tiranë më 25 dhjetor."Policia po bën hetime këmbëngulëse rreth zbardhjes së ngjarjes, por në këtë fazë ka vështirësi, sepse autorët ishin të maskuar me rroba të babagjyshërve të Vitit të Ri", ka thënë zëdhnësi i policisë së Prizrenit.Nënkoloneli Krasniqi tha se të arrestuarit ngjajnë me përshkrimin e dhënë nga viktimat, sa i përket gjatësisë trupore, por kërkohet ndihma e qytetarëve për ti identifikuar ata.Si provë materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhojat e pistoletës, të cilat në polici thanë se po analizohen me kujdes. Ndërsa mësohet se të arrestuarit janë emra të njohur për policinë.Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e rastit, nga burime policore jo zyrtarë mësohet se një ditë para se të ndodhte ngjarja, në një qendër tregtare në Prizren në dy raste janë blerë veshje të babagjyshëve.Një person ka paguar dy palë, përderisa një tjetër kishte blerë një palë rroba. Policia dyshon se kjo mund të jetë shumë e lidhur me ngjarjen që ndodhi në argjendari, por që në momentin e pagesës, kamerat e sigurisë kanë qenë jashtë funksionit, prandaj edhe nuk mund të thuhet diçka konkrete rreth identifikimit të klientëve, të cilët mund të jenë të ndërlikuar në këtë rast.