Lejet e qëndrimit për emigrantët, PDIU: Të gjendet zgjidhje përfundimtare për toponimet

Partia për Drejtësi Intergrim dhe Unitet ka kërkuar gjetjen e një zgjidhje urgjente nga qeveria shqiptare dhe ajo greke për çështjen e toponimeve. Në një reagim për mediat pas vendimit të qeverisë greke për të mos rinovuar lejet për emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje për shkak të toponimeve në shqip, thekson se Greqia po ushtron presion mbi emigrantët, duke mos treguar aspak seriozitet.“PDIU ka mësuar me shqetësim krijimin e një problemi të ri për bashkatdhetarët tanë që rinovojnë dokumentat greke, mbi bazën e dokumentave shqiptare që kanë toponimet në shqip. Ky është një problem i ri mbi bazën e një problemi të vjetër i cili do duhej të parashikohej që në fillim nga autoritetet e dy shteteve. Pala greke duhet të jetë serioze. Ajo s'mund të premtojë për një çështje si kjo e toponimeve, vetëm për një aspekt problematik të saj- kalimin e kufirit, por për të gjithë gamën e problemeve që mund të krijoheshin. Nga njera anë, Greqia shtet anëtar i BE-së, premton se do gjejë zgjidhje, nga ana tjetër bën presion mbi emigrantët. Dy vendet tona duhet patjetër ta zgjidhin në themel të gjithë problematikën që mund të krijohet duke u mbështetur në legjislacionin ndërkombëtar më të përparuar dhe jo në vullnetin e atij që e konsideron veten, shtet i fortë. Ne duam të besojmë se një problem si ky nuk nxirret si mënyrë presioni për ndonjë çështje tjetër në marrëdhëniet mes dy vendeve tona” thekson PDIU.Mijëra familjeve shqiptare iu është dërguar nga shteti grek një letër ku njoftohen se iu lihet në dispozicion vetëm një muaj afat për të bërë rregullimin e vendlindjes së tyre në pasaportat shqiptare, në të kundërt atyre i është komunikuar largimi nga Greqia.Vendlindja e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi është e shkruajtur në shqip, ndërsa shteti fqinj kërkon që ato të shkruhen në gjuhën angleze, duke e vënë këtë kusht për rinovimin e lejeve të qëndrimit në Greqi.Ndërkohë qindra shqiptarë, që prej vitesh kanë ndërtuar jetën në shtetin fqinj, në kushtet e kërkesës për largim nëse nuk bëhet rregullimi i shkrimit, kanë hapur proces gjyqësor në Greqi. Por për ta as kjo nuk është zgjidhje, pasi procesi në gjykata është i tejzgjatur dhe kapërcen afatin njëmujor të lënë nga shteti fqinj.Në këto kushte duket se më të përfituarit janë avokatët grekë, që duke shfrytezuar kushtet e emergjencës janë duke iu vënë tarifa të larta emigrantëve shqiptarë. Pavarësisht kësaj ata thonë se janë gati të paguajnë për shtyrë lejet e qëndrimeve në Greqi.