Luan Rama: Komision shtetëror për festimet e 70-vjetorit të Çlirimit

Ndërsa Shqipëria kremton këtë vit 70-vjetorin e Çlirimit, LSI kërkon nga qeveria të ngrejë një komision të posaçëm i cili do të merret me përgatitjet për këtë ngjarje të madhe historike për kombin tonë.Në një konferencë për shtyp, Sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike Luan Rama ka kërkuar nga qeveria në emër të LSI-së që të rikontruktojë të gjitha monumentet dhe varrezat e dëshmorëve në rrethe për ta kremtuar sipas tij me dinjitet këtë ngjarje të madhe për shqiptarët."Kjo ngjarje e madhe padyshim  meriton vëmendje të posaçme, respekt të veçantë, nderim të madh nga e gjithë shoqëria shqiptare. Por është detyrë e qeverisë të krijojë një komision të posaçëm shtetëror, gjithëpërfshirës me qëllim që programimi i çdo detaji dhe festimi të jetë i denjë për këtë ngjarje të madhe. Në emër të LSI-së propozoj që një çështje e veçantë që duhet të meritojë vëmendjen e qeverisë duhet të jetë edhe rikontruktimi i varrezave të dëshmorëve në të gjitha rrethet dhe rikonstuktimi i të gjitha monumenteve të luftës. Duhet që këtë vit 2014 ta shndërrojmë në vitin e 70 vjetorit të Çlirimit të atdheut duke përmbushur gjithë detyrimet që kemi ndaj qytetarëve. Ky është detyrim i madh, ky është vlerësimi më i madh" tha Luan Rama.Ai shtoi se nderimi i 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut është nderim për Shqipërinë evropiane, sepse në themel të Europës së bashkuar qëndrojnë vlerat antifashiste të Luftës së Dytë Botërore.Në Nëntor të vitit 1944 Shqipëria çlirohet nga okupatori i huaj nazifashist gjerman në sajë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.