Rama, Donohoe: Irlanda, një mbështetje e vendosur për statusin e kandidatit
Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim Ministrin Irlandez për Çështjet Evropiane Pascal Donohoe.Pa dhënë shumë detaje lidhur me atë çfarë është biseduar mes palëve në këtë takim, Rama në një postim të publikuar në fb shoqëruar dhe me një foto thekson se Ministri irlandez vlerëson lart përpjekjet e qeverisë së re dhe garanton se Irlanda do ta mbështesë fuqimisht Shqipërinë për statusin e merituar të vendit kandidat.Më herët Ministri irlandez, Paschal Donohoe, u prit edhe nga kreu i Kuvendit Ilir Meta, me të cilin diskutuan mbi procesin e integrimit evropian, zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbi rolin e Shqipërisë në rajon.
Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e hapur dhe të fuqishme të Irlandës për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe theksoi se pavarësisht vendimit të Këshillit, Qeveria dhe Parlamenti janë të vendosur të vazhdojnë me ritmin e reformave të nisura, në shërbim të qytetarëve shqiptarë dhe mirëqenies së tyre.Meta bëri një vlerësim të veçantë për mbështetjen e Irlandës ndaj Kosovës, dhe rikonfirmoi se Shqipëria do vazhdojë të luajë rolin e saj të rëndësishëm dhe konstruktiv rajonal, duke besuar se avancimi i reformave dhe forcimi i paqes dhe stabilitetit në rajon, i shërben edhe zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit të të gjithë rajonit.Ministri Irlandez për Çështjet Evropiane, Paschal Donohoe, theksoi se Irlanda e mbështet procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe se trendi pozitiv i reformave në Shqipëri duhet vazhduar në shërbim të zhvillimit demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë, si dhe në funksion të të ardhmes evropiane të vendit dhe të të gjithë rajonit të Ballkanit.Gjithashtu, Ministri Donohoe shprehu vlerësimin e tij për mbarëvajtjen e një klime bashkëpunimi gjithëpërfshirëse dhe konstruktive në Kuvend, si një element i rëndësishëm në funksion të cilësisë së debatit dhe reformave në vend.