Ministri i Çështjeve Evropiane të Irlandës-Bushatit: Mbështjetje për statusin
Irlanda shpreh mbështetje për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Ministri i Çështjeve Evropiane të Irlandës, Paschal Donohoe gjatë një takimi me ministrin e jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati gjithashtu vlerësoi ecurinë pozitive të reformave në Shqipëri dhe masat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.Ndërsa ministri Bushati shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke falënderuar në këtë kontekst nënshkrimin nga Ministri i Jashtëm irlandez, Gilmore, të letrës së 8 Ministrave të Jashtëm në mbështetje të dhënies së statusit të vendit kandidat Shqipërisë në dhjetor të vitit të kaluar.Gjithashtu, Ministri Bushati theksoi se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë mbetet prioriteti kyç i qeverisë shqiptare dhe në këtë kuadër e siguroi Ministrin Donohoe për angazhimin maksimal në vijimin e zbatimit të reformave, duke shprehur besimin në marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor.Gjithashtu, bashkëbiseduesit shprehën vlerësime për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe në kuadrin e thellimit të bashkëpunimit u ra dakord për gjetjen e rrugëve për dhënien e asistencës teknike të Irlandës, lidhur me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi rajonin dhe në këtë kuadër u vlerësua politika konstruktive e Shqipërisë.