PDS kërkon zbatimin e paktit, Milo: Ka bisedime, por duhen negociata konkrete

Është aleati tradicional i Partisë Socialiste, Paskal Milo, kreu i PDS deri më tani ka shfaqur durim për zbatimin e marrëveshjes parazgjedhore nga kreu i koalicionit të majtë Edi Rama.Tashme, sipas tij është koha qe Demokracia Sociale të marrë postet që meriton, duke kujtuar se në zgjedhjet e fundit kjo forcë politike mori 12 mijë vota.“E kemi mirëkuptuar. Ka ardhur koha që PDS të marrë vlerësimin që i takon në kuadrin e koalicionit në të cilin ajo ka bërë pjesë dhe ka dhënë atë kontribut që ka dhënë. Këtu nuk bëhet fjalë për mua si kryetar i partisë, si person, absolutisht jo, këtu bëhet fjalë për PDS, vlerat që ka. Ne patjetër që pretendojmë të kemi përfaqësim, pasi në çdo vend të botës ka përfaqësim politik në qeverisje, në vende të caktuara dhe ne presim” tha ai.Për mikrofonin e Ora News, Milo pranon se ka patur bisedime për arritjen e një marrëveshje, që shumë shpejt do të kthehen në negociata konkrete.“Në fakt ne kemi patur mesazhe sporadike vlerësimi nga drejtuesi i qeverisë” theksoi Milo.Në konferencën e fundvitit, kryeministri Edi Rama, tha se aleatët socialistë janë në qeveri, edhe pse PDS dhe PSD ende nuk janë përfaqësuar në qeverisje.Sipas paktit paraelektoral, këtyre dy partive u takojnë postet e zv.Ministrave, Prefektëve dhe Drejtorive rajonale.