Krimi për pasionin ‘masakër’ në Korçë, vret 4 persona, arrestohet
Krimi për pasionin ka tronditur mbrëmjen e sotme fshatin Gjonomadh të Korçës, duke lënë si bilanc viktimash katër persona. Dy çifte bashkëshortësh, Rexhep dhe Valentina Metellari si dhe Belimon dhe Danjela Meçollari, janë ekzekutuar me armë zjarri pushkë nga një dorë e vetme, shtetasi Bashkim Lakollari 40 vjeç.Ky i fundit dyshohet se kishte një lidhje intime jashtëmartesore me Danjela Meçollarin. Ka qenë pikërisht zbulimi i kësaj lidhje nga Rexhep Metellari dhe gruaja e tij që e kanë shtyrë 40-vjeçarin në aktin e parë të krimit. Në përpjekje për tu mbyllur gojën, pasi Rexhepi ishte daja i të shoqit të Danjelës, Belimonit, ai i ka ekzekutuar të dy me armë zjarri.Pas vrasjes së dyfishtë, ai i është drejtuar banesës së Belimon dhe Danjela Meçollarit, të cilët i ka qëlluar për vdekje në sy të dy fëmijëve 4 dhe 6 vjeç pasi këta të fundit ishin shtrirë për të fjetur.Pas masakrës, 40-vjeçari në përpjekje për të fshehur gjurmët i ka hedhur trupat e katër viktimave në aksin rrugor Voskopojë-Korçë. Ata u gjetën rreth orës 19:45 të mbrëmjes nga kalimtarë të rastit, të cilët njoftuan më pas dhe policinë.Në përfundim të gjithë masakrës, Bashkim Lakollari është dorëzuar tek kryeplaku i fshatit, ku më pas është bërë dhe arrestimi i tij nga policia.Në vendngjarje ka mbërritur edhe prokurori i rrethit të Korçës, Alket Mersini, i cili ka marrë drejtimin e hetimeve të vrasjes së katërfishtë.Nga hetimet rezulton se 40- vjeçari Latollari dhe Danjela Meçollari kishin një lidhje dashurore jashtë martesore. Madje autori i vrasjes i ka kërkuar nënës së dy fëmijëve të divorcohet nga bashkëshorti i saj. Nga ana e policisë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.