Suksesi ekonomik varet nga arsimimi
Shqipëria, me platformën e re të qeverisjes, duket se ka projektuar një vizion të ri lidhur me drejtimin që do të marrë ekonomia e saj në të ardhmen. Në hyrje dua të them se jam optimist për zhvillimin e ekonomisë dhe nuk kontestoj asgjë nga paketa fiskale dhe buxheti i qeverisë për vitin 2014. Por kam bindjen se problemet zgjidhen vetëm me një kusht: ekonomisë i duhet, nga pikëpamja morale, një shtet i fortë. Sepse vetëm atje ku shteti ia del ta ushtrojë rolin e tij si rregullator ekonomik, mund të lulëzojnë me të vërtetë tregjet e lira. Nëse duam një lojë të ndershme forcash ekonomike, duhet një shtet si arbitër, i cili i bie bilbilit kur loja bëhet e pandershme, një arbitër që ndëshkon me “karton të verdhë” e të “kuq”.Arsimimi, kusht paraprak për funksionimin e tregutKa pasur gjithmonë diskutime retorike, por dialogu është mëse i domosdoshëm, pasi arsimi i lartë jo vetëm që është faktor thelbësor për zhvillim, por është edhe një politikë thelbësore sociale që duhet të shoqërohet me politika adekuate të cilat kanë të bëjnë me tregun e lirë të ekonomisë dhe me tregun e punës.Arsimimi dhe kualifikimi shkencor duhet të konsiderohen si kushte paraprake, në mënyrë që tregu të funksionojë. “Ekonomia e tregut” nënkupton jo vetëm një rend të caktuar tregu, por edhe një model edukimi e formimi të shoqërisë. Që nga politika e deri te banka, gjithçka duhej t’i nënshtrohet një kredoje: inkurajimit të shoqërisë drejt vlerave “të duhura”, si arsimimi, ndershmëria, drejtësia, përkujdesja dhe besimi.Një nga preokupimet e përhershme për çdo qeveri duhet të jetë gjetja e mënyrave për të rritur kapacitetin absorbues të tregut të punës. Sipas Klaus Schwab, themeluesit të Forumit Ekonomik që mbahet çdo vit në Davos të Zvicrës, “bota e së nesërmes është një botë ku biznesi është formësuesi kryesor jo vetëm për zhvillimin e ekonomisë, por gjithashtu edhe për zhvillimet shoqërore; kjo është një botë ku shoqëria civile po ashtu ndihet e angazhuar”. Politika jo gjithmonë e ka lejuar tregun që të prodhojë cilësi, apo të përputhë nevojat e tregut me pritjet e studentëve. Si rezultat, është e nevojshme që të rimendohet arsimi i lartë si sistem, në kuptimin e mbartjes dhe ushyerjes së vlerave dhe nevojave të shoqërisë, në aspekt të asaj çka të tjerët mund të ofrojnë dhe të përmirësojnë dështimet e tregut.Në kohën kur mjedisi global po bëhet gjithnjë e më konkurrues, universiteti është garë dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Si i tillë, kërkon transformimin e praktikave, kërkon një mënyrë shumë dinamike të zhvillimit të afarizmit. Për të garantuar suksesin e sistemit kërkohet ndryshim i aftësive në fuqinë punëtore, kërkohen që më tepër njohuri të shpërndahen te më shumë banorë. Këto argumente paraqesin një sfidë të paparë për arsimin e lartë, suksesi i të cilit është çelësi i suksesit në ekonominë globale sot. Nuk ka ndonjë recetë të fshehtë për këtë transformim edhe në vendin tonë. Shqipëria nuk do të jetë në gjendje të lëvizë përpara pa u përafruar me vendet europiane në disa aspekte, përfshirë arsimin e lartë.Është e padiskutueshme se arsimi luan një rol thelbësor në zhvillim. Trajtuar në pjesën paraprake, profili i studentëve është pjesë thelbësore kur analizohet niveli i përmbushjes së nevojave të ekonomisë nga arsimi i lartë. Nëse punëdhënësit nuk gjejnë aftësitë e duhura te të diplomuarit në universitete, atëherë sistemi i arsimit të lartë ka dështuar.Mësime të rëndësishme mund të merren nga vende si Japonia, Singapori dhe Koreja, të cilat i kanë zhvilluar ekonomitë e tyre duke investuar shumë në arsim. Nuk vihet në dyshim që arsimi i lartë është ndoshta faktori më i rëndësishëm për rritje ekonomike të qëndrueshme. Kina, India, Brazili, Meksika, Argjentina dhe shumica e vendeve në zhvillim janë duke ndjekur tani të njëjtin model. Laboratorët e teknologjisë së lartë janë duke u ndërtuar edhe në zona të largëta në mbarë Amerikën Latine dhe Azinë Juglindore, duke siguruar qasje në teknologjinë më të avancuar për vendet më të populluara në botë. Të gjitha këto vende kanë filluar me nivele më të ulëta të arsimit sesa ai që ekziston sot në Shqipëri, por kanë bërë këtë hapa galopantë, pasi nuk kanë pasur strategji tjetër për të ndjekur. Për më tepër, kanë ecur me bindjen absolute se investimet në arsim janë më të besueshme për ta shpaguar veten, se sa shumica e investimeve të tjera, sepse më shumë vende të punës kërkojnë arsimim të lartë dhe aftësi të veçanta.Aftësitë që merr një student vështirë të quhen aftësi të nevojshme për treg. Përveç atyre që mbarojnë biznesin, është e paqartë se ku do të kërkojnë punë të diplomuarit e tjerë të shumë institucioneve private.Në programet dhe strategjinë e saj qeveria shqiptare, MAS dhe tregu duhet të vlerësojnë përafërsisht sasinë dhe cilësinë e trajnimeve që janë të nevojshme në sektorë të ndryshëm. Universitetet tona vetëm prodhojnë dhe asgjë nuk dinë. Askujt nuk i intereson tregu i punës. Studentët nuk janë në gjendje që të gjykojnë se cili profil do të ketë gjasa më të mëdha për zhvillim. Universitetet vetëm ligjërojnë me kapacitetet ekzistuese, pa bërë ndonjë përpjekje për të ritrajnuar apo punësuar kapacitete të reja. Kjo duhet që urgjentisht të ndryshojë.Rishqyrtim i sistemit të arsimit të lartë Shumica e vendeve i kushtojnë rëndësi të lartë arsimit në përgjithësi dhe arsimit të lartë në veçanti për një afat të gjatë kohor. Pavarësisht nga niveli i zhvillimit të një vendi, përveç të qenit burim kryesor i aktivitetit intelektual të vendit, arsimi i lartë është i rëndësishëm për tri arsye: është një e drejtë e njeriut, zhvillon lirinë individuale, dhe ofron të mira të rëndësishme për zhvillimin shoqëror e kombëtar. Pikërisht për këto arsye duhet t’u nënshtrohet reformave dhe përsosjes. Reformat janë gjithmonë të vështira. Vijnë në vëmendje vetëm në kohë tejet të vështira. Ka mjaft kritika mbi vizionin dhe zbatimin e reformave në universitetet tona. Përpjekjet e strukturave udhëheqëse të universiteteve për reformim kanë qenë shumë të natyrës kozmetike. Nuk ka pasur reformë rrënjësore. Është bërë vetëm një ndërrim i emërtimeve të kurrikulave, ndërsa ka munguar qasja racionale e kuptimit të reformës. Pak ose aspak është marrë nga përvoja ndërkombëtare. Prandaj është i nevojshëm një rishqyrtim i sistemit të arsimit të lartë. Një rishqyrtim i tillë nuk duhet të bëhet vetëm nga “ekspertët”, por duhet të përfshijë të gjitha palët e përfshira në procesin e arsimimit, duke përfshirë studentët, prindërit, punëdhënësit, grupet e komunitetit, mësimdhënësit, akademikët, zyrtarët e nivelit lokal dhe qendror… Këto ndryshime duhet të përkrahen nga studime të rregullta sistematike të trendeve të tregut të punës, për të siguruar një përshtatje më të mirë me nevojat e ekonomisë së tregut që po lindin dhe me nevojat e veçanta të lokaliteteve të ndryshme. Por asnjë studim, sado i mirë që të jetë ai, nuk mund të zëvendësojë një proces të vazhdueshëm të bashkëveprimit ndërmjet palëve të ndryshme.Po të kthejmë sytë nga vendet e rajonit, do të shohim se kanë përvoja më të mira, nga të cilat duhet mësuar. Arsimi i lartë në rajon kryesisht është larguar nga burokracia dhe politikat e centralizuara, duke u koordinuar me tregun e lirë. Mirëpo, në vendin tonë aftësitë e mësimdhënësve vazhdojnë të jenë dukshëm të vjetruara dhe korrupsioni është i pandalshëm. Presioni i konkurrencës mes universiteteve publike e private është pothuajse fiktiv. Si kudo në Europën Lindore, mungesa e profesionistëve të aftë është kronike.Konkurrenca në arsimin e lartë është debatuar në shumë nivele, nga Bolonja deri të Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tregtinë në Shërbime (GATS). Në Shqipëri mënyra e vetme në të cilën ka funksionuar konkurrenca ka qenë presioni për të dhënë diploma me përpjekje minimale.Mësim dhe kërkim shkencorHarmonizimi i mësimit me kërkimin shkencor është koncept i njohur dhe i zbatuar kudo. Në një studim të kohëve të fundit, profesori amerikan Altbach, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Arsimin e Lartë në Kolegjin e Bostonit, thotë se “për suksesin e çdo lloj ekonomie moderne, kryesor është roli i institucioneve sipas modelit ‘mësim dhe kërkim shkencor’”.Vendin tonë e pret një rrugë e gjatë në zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor, si dhe rritjes së numrit të studentëve që merren me punë kërkimore-shkencore. Universitetet tona janë përballë standardit dhe sfidave për të përballuar integrimin në procesin e mësimit, por edhe integrimin në procesin e kërkimit. Institucionet kryesore të kërkimit shkencor janë universitetet me 60% të totalit të prodhuar, qendrat spitalore dhe sektori shëndetësor me 20%, dhe qeveria me 15%. Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, në bashkëpunim me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Universiteti Politeknik i Tiranës gjenerojnë pjesën më të madhe të volumit të kërkimit.Sipas strategjisë së kërkimit shkencor dhe inovacionit të qeverisë së mëparshme, financimi i kërkimit shkencor rezulton të jetë relativisht i ulët, rreth 0.2% i PBB-së, në krahasim me synimin e qeverisë së re për 0.6% të PBB-së.Kërkimi shkencor në institute të pavarura apo të integruara në universitete, duhet të gëzojë miratimin e qeverisë aktuale, sipas vizionit shkencor të zhvillimit të vendit. Ai duhet shoqëruar me burime financiare të nevojshme.Në planifikimin buxhetor të qeverisë për arsimin dhe shkencën për vitin 2014 parashikohet që shifra e financimeve të dyfishohet dhe në perspektivë kjo shifër të mos bjerë nën 5% të GDP-së. Fondi i rritur i buxhetit 2014, ende i paadresuar, duhet të shkojë për të mbështetur skemën e re të financimit të arsimit të lartë: drejt universiteteve të ekselencës për rritjen e pagave të profesoratit, për pasurimin dhe kërkimin shkencor, përmirësimin kurrikular, në procesin e përkthimit dhe botimit të manualeve më të mira universitare bashkëkohore.Për kërkime shkencore universitetet marrin mjete financiare nga burime publike, por edhe nga fondacione të ndryshme. Për shkak të buxhetit të kufizuar, kërkimet universitare kohët e fundit janë ndërprerë ose stopuar. Ky stopim ka ndodhur edhe në Fakultetin e Mjekësisë, ku vitet e fundit ka pasur bashkëpunim e partneritet të plotë me partnerët ndërkombëtarë në fushën e kërkimit shkencor. Fakulteti i Mjekësisë ka qenë gjithmonë udhëheqës në frontin e kërkimeve biomjekësore. Shkencat mjekësore janë shkencat me zhvillimin më të shpejtë të dijeve, ndaj dhe studimet dhe kërkimet në shkencat mjekësore në tërësi kanë veçorinë e tyre dhe pikësëpari ne përpiqemi të jemi koherentë, sepse ajo që sot është e re, pas 5 vitesh është shumë e vjetër. Ne kemi një periodik shkencor (“Bulletin of Medical Sciences”) në gjuhën angleze të indeksuar me ISSN. Kemi një sekretari dixhitale, ku gjen të gjitha informacionet e nevojshme për të gjitha ciklet e studimeve. Kemi filluar aplikimin në shkallë të gjerë të Telemedicinës, ku studentët tanë, përveç një biblioteke të pasur elektronike, gjejnë në videokonferenca lektorët më të mirë nga universitetet europiane dhe të SHBA, gjë që e ka përmirësuar dukshëm nivelin e mësimdhënies. Por të gjitha këto shërbime rrezikohen për mungesë fondesh. Botimi i “Bulletin of Medical Sciences”, organi i vetëm pasqyrues i kërkimit shkencor mjekësor në Shqipëri, nuk mund të vazhdojë më. Që në nisje “Bulletin of Medical Sciences” ka luajtur realisht rolin e një forumi të vërtetë të edukimit dhe të rritjes së pandërprerë të nivelit e cilësisë së kujdesit shëndetësor, përmes prezantimit të kërkimeve të kënaqshme e të vlefshme shkencore të kryera nga pedagogët e mjekët tanë dhe të arritjeve më të mira të shkencës mjekësore të kohës. Ai ishte një instrument i vyer komunikimi ndërmjet klinicistëve dhe kolegëve të tyre të fokusuar e të përkushtuar njëherazi edhe në kërkimin shkencor, ku debatoheshin idetë dhe opinionet, prezantimet e rasteve klinike apo të imazheve instruktive, të udhërrëfyesve më të mirë të praktikës mjekësore, informacionet prej konferencave, seminareve apo simpoziumeve shkencore.Në planet afatgjata, mungesa e fondeve për projektet kërkimore në fakultetin tonë do të thotë se më pak shkencëtarë do të kërkojnë karrierë në fushën e studimeve mjekësore.Politizimi, si problemi më i madhSigurisht që në universitetet tona kërkimi shkencor është larg standardeve ndërkombëtare. Këtu kanë ndikuar shumë faktorë. Më kryesori është politizimi i studimeve shkencore.Politizimi i universiteteve dhe i kërkimit shkencor është ngritur si çështje nga mediat, të cilat e kanë trajtuar atë si problemin më të madh, për shkak të kontrollit politik të tyre nga politikanë të ndryshëm. Problemi është më afatgjatë. Është një problem shumë më i vështirë, që shkon kundër instinktit; është sfida për ta transformuar universitetin nga një bastion politik në një institucion meritokratik e konkurrues. Ne si shoqëri kemi lejuar që universiteti të humbë rëndësinë dhe peshën që ka pasur historikisht, duke i kushtuar pak rëndësi institucionit që dikur ishte themel i diturisë. Ai është mbushur, me përjashtime natyrisht, me njerëz që mbajnë tituj akademikë e të cilët mbase kurrë nuk kanë shkruar as më të voglin tekst universitar dhe me ata që nuk janë në gjendje t’u tregojnë studentëve se çfarë literature të huaj do të mund të shfletojnë, ngaqë vetë nuk i dinë. Shpesh politika ka vepruar pa marrë në konsideratë eksperiencat ndërkombëtare dhe ka stimuluar militantët, duke sjellë dëme të pallogaritshme.Të bësh kalimin e universiteteve shqiptare nga institucione politike në institucione krejtësisht akademike, ku të zhvillohet vetëm shkenca dhe dija, kjo do të ishte rilindja e vërtetë.Përveç aftësive të vjetruara, politizimit, korrupsionit, universiteti ka nevojë të luftojë edhe paaftësitë e një shtrese të mbledhur rreth tij.Tani sfida është se si të kthehet një universitet i politizuar në një universitet funksional, kombëtar, në mënyrë që të shtyjë përpara zhvillimin e vendit. Nuk ka dyshim se kjo mund të arrihet vetëm me një proces gjithëpërfshirës, me zgjidhje reale që mund të mobilizojnë më shumë shoqërinë në përpjekje të përbashkëta.Disa konkluzioneNga vlerësimi i situatës mund të nxirren disa konkluzione. Së pari, përqendrimi i burimeve njerëzore dhe financiare në universitetet publike ka rezultuar i efektshëm (jo medoemos i suksesshëm në lidhje me synimet e qeverisë), pasqyruar kjo në volumin dhe cilësinë e kërkimit shkencor në vend. Së dyti, përqendrimi në disa disiplina është mëse i nevojshëm për Shqipërinë e vogël, me burime të kufizuara financiare e prioritete të tjera zhvillimi.Në kushtet e “liberalizimit” të arsimit të lartë, politikëbëresit duhet të fokusohen jo në politika selektive, por në gjetjen e burimeve dhe metodave për të menaxhuar kërkesën e studentëve dhe të kërkimit shkencor. “E ardhmja e Europës në 10 apo 20 vitet e fundit varet nga aftësia jonë për të marrë pjesë, krahas SHBA-ve, Kinës, Indisë dhe të tjerëve, në të ashtuquajturën ‘ekonomi e dijes’”, ka thënë ish-ministri i Financave të Francës, Strauss-Kahn. Për Shqipërinë, standardet e ulëta të arsimit mund të paraqesin pengesën më të madhe në zhvillim.Përfundimisht, sistemi i arsimit nuk ka nevojë që të nxjerrë as punëtorë e as akademikë, në kuptim të plotë të fjalës. Mbi të gjitha, ai duhet të krijojë punëdhënës, persona që kanë ide ndërmarrëse për t’ju krijuar punë vetes dhe të tjerëve./Burimi: panorama.com.al/