Apeli “liron” Shtjefën Lleshin, gjyqtari i Pukës përfiton arrest shtëpie

Ashtu si për drejtuesin e prokurorisë së Pukës, Pellumb Prençi, gjykata e apelit e kryeqytetit ka ndryshuar masën e sigurisë edhe për ish-kryetarin e gjykatës së këtij rrethi Shtjefën Lleshi. Gjykatësja, Zeqine Sollaku, ka vendosur të lirojë Lleshin,duke vendosur për një masë më të lehtë, atë të "arrestit të shtëpisë".Avokati mbrojtës i gjyqtarit të akuzuar për korrupsion nga prokuroria, Ardian Visha, ka argumetuar se klienti i tij dhe vepra që pretendohet se ai ka kryer mund të hetohen edhe me një masë më të lehtë.Pavarësisht argumentimit nga prokurori për të mbajtur në burg ish-gjyqtarin, apeli i Tiranës vendosi të çojë në shtëpi Lleshin, duke e nisur menjëherë drejt Pukës këtë të fundit nën shoqërimin e forcave të policisë.Ndërkohë ditë më parë kjo gjykatë vendosi të lërë në burg sekretaren dhe kancelaren e gjykatës sëp Pukës,dy avokatë dhe një sekser të cilët u filmuan duke ndarë paratë në ambjentet e gjykatës së Pukës për të ndryshuar një masë sigurie.Gjykata e apelit e Tiranës pritet të ketë punë intensive këtë fillim viti, pasi në datën 13 janar do të shqyrtojë kërkesën e kryetarit Bashkisë Kamëz Xhelal Mziu, për ndryshimin e masës së sigurisë.Ai vazhdon të qëndrojë në burgun 302 në kryeqytet, ku mbahet nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.Gjykata e shkallës së parë e Tiranës vendosi "arrest me burg" për Mziun, pasi kishte abuzuar me një fond prej 800 milion lekësh të vjetra, duke favorizuar një kompani në ndërtimin e rrugës Valias i Ri-Laknas.