Kush bëri krime në Kosovë?
Nga OraNews Përditësimi i fundit 7 Janar 2014, 16:34
“Krimet e luftës në Kosovë”, “krimet e luftës në Kosovë”, “krimet e luftës në Kosovë”…
Kjo fjali e dëgjuar natë e ditë për 14 vjet me radhë ka filluar të më bëhet jehonë në veshët e mi dhe gati sa nuk po me bie në gjendje të pyes veten: Pse nuk na vranë të gjithëve se ndoshta e paskemi merituar?Në një vend kaq të vogël të sapodalë nga lufta, me afro 15.000 të vrarë, dhjetra mijëra të plagosur e keqtrajtuar, me mijëra femra të dhunuara, me qindra e mijëra shtëpi të djegura e të shkatërruara, me mbi 1700 persona të pagjetur akoma, me afër 1 milion persona të dëbuar nga prona e tyre e të përbuzur për një kafshatë buke kampeve të mjerimit, pluhuri i harresës po mbulon marramendshëm një të kaluar kaq të afërme, e truri i të gjallëve po shpëlahet çdo ditë e më shumë.Oh, harrova të përmend gati 2.000 dëshmorët e UÇK-së!S’ka gjë. Ata mirë e “gjetën “ që u vranë.Se u bënë “ATA” të ngrenë krye e t’ia kthejnë pushkën serbit!Epo kështu e ke kur nuk tregohesh i dëgjueshëm.Por së paku ata mbetën të mirë, pak a shumë të panjollosur dhe çka është më e mira ata shkuan me shpresën se liria po vinte për popullin e tyre, shkuan me iluzionin se ia vlente të vdisej për atdhe…“Ia vlente të vdisej për Atdhe”!?Se ku e kisha dëgjuar këtë fjali për herë të parë dhe se si u rrita duke e dëgjuar gati çdo ditë.E sot kur jam në moshë, i kam vendosur një pikëpyetje të madhe kësaj fjalie.Të më falin të gjithë ata që akoma janë të gatshëm të flijohen për komb e për atdhe, por as Fishta nuk kishte faj kur shprehu mllefin e tij nga kombit të tij.Tek dëgjojë çdo natë të flitet në mediat tona (përfshirë edhe mediumin ku punoj unë vetë) fjalinë “Krimet e luftës në Kosovë”, më vjen të ulëras nga dëshpërimi!Sa poshtë kemi rënë, sa shumë jemi servilosur!!!Analistë e të gjithëdijshëm i ke vcdo ditë në ballina të gazetave e në krye të edicioneve të lajmeve.“Krimet e luftës në Kosovë, duhen gjykuar, duhen dënuar”…Me ndihmesën e jashtëzakonshme të shumë prej atyre që nuk e di se ku ishin personalisht kur vendi digjej e shkatërrohej, kur populli vritej e masakrohej, kur s’kurseheshin as pleqtë në shtratin e vdekjes e as foshnjat në gjirin e nënës, rolet e palëve ndërluftuese kanë ndryshuar.Retorika e dëgjuar përditë, të bën të shtrosh pyetjen: Kush ishte agresori e kush viktima?Për dikë, vetëm të vdekurit mbetën të mirë, sepse me emrin e tyre do përfitojnë, por të gjallët duhet të burgosen, deri në të fundit, që mund të ketë pasur çfarëdo lidhje me UÇK-në.Një shpullë e dhënë një spiuni që ka marrë në qafë kushedi sa bashkëkombas të tij, a një paramilitar i vrarë diku në malet apo fshatrat e Kosovës vlen më shumë se gjaku i dhjetëra mijëra civilëve shqiptarë të pafajshëm!Shtrohet pyetja: Ç’kërkonte një i uniformuar e i armatosur deri në dhëmbë nëpër shtëpitë shqiptare?Si duhej të pritej ndryshe, pos me plumb pasi kishte lënë mbrapa të vrarë e të dhunuar, pasi kishte shkelur mbi trupin e kufomave për të çarë në rrugëtimin e tij pushtues?Por, anomalia më e madhe më duket kur “analistët” (të më falni po s’e di kush ua dha këtë emër dhe çfarë kriteresh duhen pasur për ta marrë) flasin çdo ditë për atë se si EULEX-i duhet të qëndrojë në Kosovë për të dënuar krimet e luftës.E marr me mend se arsyetimi tyre për një gjë të tillë do të ishte: “duhet dënuar të gjithë atë që kanë bërë krime, kanë shkelur rregullat e luftës, konventat e Gjenevës, liritë dhe të drejtat e njeriut. Blla, blla, blla”!Ju kujtoj këtyre analistëve se më 22 maj të vitit 1999 në Burgun e Dubravës forcat serbe të mllefosura me humbjen luftës, vranë rreth 200 të burgosur shqiptarë.Ju flisni për krimet e luftës për ndonjë rast të izoluar të përdorimit të dhunës ndaj ndonjë civili serb apo edhe shqiptar (do ta bënit edhe ju po t’ua kishin vrarë njerëzit tuaj) dhe nuk përmendni kurrë masakrën e Dubravës!Në Kosovë gjykohen e burgosen njerëzit me dyshimin se paskan keqtrajtuar njerëz në disa qendra ndalimi që nuk dihet nëse kanë ekzistuar apo jo, ndërsa Burgu i Dubravës ishte aty ku është edhe sot.Ishte institucion i një shteti të njohur ndërkombëtarisht, anëtar i OKB-së. E quanin madje “Institucion Korrektues”.Në Kosovë burgosen e akuzohen njerëz sipas fjalëvë të “dëshmitarëve” të fabrikuar që kur nuk i marrin paratë e premtuara. E tregojnë edhe vetë se si i kanë mashtruar, ndërkohë që të mbijetuarit e Dubravës i kemi gjithandej Kosovës.Ata janë me dhjetëra, janë gjallë për të treguar tmerrin e përjetuar, janë gjallë për të treguar si u vdiqën shokët në krahë, pa patur mundëesi t’i ndihmojnë.Janë gjallë për të treguar se panë me sytë e tyre derisa bombat u hodhën edhe nëpër pusetat e burgut ku disa nga të dënuarit ishin futur për të shpëtuar kokat.Janë gjallë për të treguar se me copa të granatave e predha në trupat e tyre (në përgjithësi djem të rinj) udhëtuan të lidhur me zinxhirë drejt burgjeve në Serbi kur pushtuesit ikën dhe ata i morën me vete.Ata janë gjallë se fati e do që në çdo masakër të ketë të mbijetuar, që e vërteta të dalë, që gjaku të mos humbë.Por ata, nuk ka kush t’i pyesë.Masakra e Dubravës është temë tabu.Nuk ka rast në botë (pas Luftës së Dytë Botërore) ku të jenë shkelur Konventat e Gjenevës liritë dhe të drejtat e njeriut më shumë se sa rasti i Masakrës së Dubravës.Pjesëtarë të UÇK-së akuzohen për shkelje të rregullave të luftës edhe nga ata që se njohën kurrë si ushtri edhe nga ata që se njohën kurrë si luftë.Ishte apo s’ishte? Kishte apo s’kishte?E si mund të shkelen rregullat e luftës nga një ushtri që nuk ishte “Ushtri” dhe në një luftë që nuk ishte “luftë”?Ndërkohë që ushtria serbe, policia dhe gardianët e burgut ishin të organizuar në forma institucionale dhe të njohura ndërkombëtarisht.Ata që kanë njohuri sado pak për atë se çfarë thuhet në këto konventa, e dinë fare mirë se sa absurde është të krahasosh një rast cilido qoftë (gjithmonë vetëm me dyshime e dëshmi të paargumentuara) si Llapushniku, Likoci, Llapashtica a kudo qoftë.I pyetur nga mediat vendore se përse nuk po ngrenë kundër serbëve që kanë kryer krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë, disa muaj më parë, shefi i EULEX-it pati deklaruar se “kriminelët serbë fshihen në Serbi” dhe se nuk kanë se si t’i gjejnë!Por, shtrohet pyetja: Pse nuk u zhvilluan hetime për këto raste? Pse nuk u ngritën aktakuza? Pse nuk u shpallën fletë-arreste ndërkombëtarë?Pse? Pse? Pse?Ka plot mënyra për të treguar nëse ke dëshirë, vullnet e gatishmëri për të bërë diçka.Për familjet e të vrarëve do të ishte së paku sadisfaksion.Kësaj i thonë “bëj ku të mundesh e ku të gjesh”!Edhe në Rashkë u ndërprenë gërmimet, megjithëse u vërtetua me fakte se objekti për të cilin është folur me vite, ishte ngritur mbi varrezë masive.Aty u gjetën eshtrat e katër personave e dyshohet se janë varrosur rreth 200 gjithsej.Katërmbëdhjetë vjet pas luftës, rolet kanë ndryshuar.Duket se fajin e kishim ne.Po mungon edhe të na thonë troç: Mirë ua bënë, si s’u zhdukën fare!Ndihmesë të jashtëzakonshme për këtë, kanë dhënë e po vazhdojnë të japin një kategori e njerëzve që mesa duket u është prishur terezia nga lufta e fundit, ose nuk di se si ta shpjegoj ndryshe.E megjithatë, seç kemi diçka gjenetike që na jep forcë, kurajo dhe besim, se një ditë gjërat do të shkojnë për së mbari.*Autorja është Redaktore Përgjegjëse për Informacionin në radion “Kosova” të RTK-së./Burimi: mapo.al/