“Luftë” me armë te Uji i Ftohtë, vritet në parking 28-vjeçari, plagosen dy të tjerë
Merdar Binjakaj ka vdekur rrugës për në spital, ndërsa rrethanat dhe motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Burime policore thanë se mes dy grupeve ka pasur shkëmbim zjarri dhe autorët megjithëse në një zonë të populluar dhe në mes të ditës, kanë arritur t'i ikin policisë.
Efektivët e drejtorisë së policisë së qarkut Vlorë, kanë mbëritur menjëherë në vendgjarje dhe kanë nisur hetimet, nga të cilat mësohet se tashmë është bërë e mundur të zbulohet identiteti i autorit. Ai është Kreshnik Nazeraj, 30 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Vlorë në lagjen "Uji i Ftohtë", i cili është shpallur person në kërkim, ndërkohë që janë shoqëruar disa persona në ambjentet e komisariatit.Shkak i kësaj ngjarje, sipas policisë së Vlorës, dyshohet të jetë mos shlyerja e një qeraje nga ana e viktimës dhe dy të plagosurve të tjerë, Kledian Binjakaj dhe Reshat Muskaj pasi të dy palët operonin në fusha të hoteleri-biznesit. I plagosuri Kledian Binjakaj ka pasur me qera hotelin e babait të autorit, N.Nazeraj dhe pas prishjes së kontratës së qeradhënies, Binjakaj pretendonte një shumë parash që u bë dhe “molla e sherrit” për këtë ngjarje tragjike.
Pavarësisht se ngjarja u shënua në mes të ditës dhe në një zonë mjaft të populluar fatmirësisht nuk pati të lënduar të tjerë.