Në Elbasan shfaqet sindroma “Fieri”, kreu i qarkut: Disa këshilla vendorë nuk funksionojnë

Këshillat bashkiakë në disa njësi vendore të qarkut të Elbasanit nuk po funksionojnë që pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.Kryetari i Këshillit të Qarkut, që vjen nga e djathta, Eugen Isai, ka deklaruar se kjo anomali është shkaktuar si pasojë e shkarkimeve dhe emërimeve të reja që janë bërë në këshilla nga mazhoranca e majtë. Problemet më të shumta sipas tij janë vërejtur në komunën Pishaj në Gramsh, në Bashkinë e Librazhdit, në Përrenjas dhe në komunën Qukës. Isai shprehet se të shkarkuarit janë ankuar në Gjykatën Administrative dhe do të jetë kjo e fundit që do të japë verdiktin e saj.Këshilli i qarkut Elbasan aktualisht ka një maxhorancë të djathtë, ndërkohë që koalicioni i majtë është duke u përpjekur për të përmbysur raportet aktuale me qëllim zgjedhjen e një kryetari që i përket së majtës.