Bozdo: Bashkia e gatshme për treg alternativ në rast abuzimi me çmimet

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga ndërrimi i viteve, situata e çmimeve në kryeqytet vazhdon të jetë e stabilizuar. Ndryshe nga vitet e tjera, ka një tendencë në rënie të çmimeve të disa produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve të vendit. Kjo është konfirmuar nga vetë tregtarët gjatë takimeve që nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo ka zhvilluar sot në inspektimet që së bashku me task- forcën i bëri çmimeve në tregun ushqimor.“Task-forca e Bashkisë së Tiranës vazhdon monitorimet e çmimeve të produkteve ushqimore në tregjet e kryeqytetit. Në tregun e sotëm, një ndër tregjet kryesore të Tiranës, siç edhe u raportua nga vetë kontaktet, një pjesë e mirë e çmimeve ushqimore  janë ulur si politikë e vetë kompanive për t’i mbajtur çmimet e ulura në këtë fundvit. Sipas të dhënave që ne kemi edhe në tregjet e tjera, për disa produkte të importit, fruta-perime ka një lëvizshmëri të lehtë të çmimeve të nivelit 10-15 lekë për kile. Për disa produkte të tjera shqiptare, të prodhuara në Shqipëri, çmimet janë absolutisht të stabilizuara” u shpreh Bozdo.Bozdo tha se edhe nesër e pasnesër do të vijojë monitorimi i çmimeve ndërsa bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat për hapjen e tregut alternativ, në rast se do të vihet re abuzim me çmimet.“Situata është shumë normale, megjithatë nuk ka aspak vend për kënaqësi, nesër ka për të qenë dita më e rëndësishme, ne do të vazhdojmë monitorimin e çmimeve sot pasdite, sot në darkë dhe nesër që në mëngjes. Inspektorët që në orën e hapjes së tregut të shumicës, në orën 05:00 të mëngjesit do  të jenë atje. Në çastin më të parë që do të vërejmë rritje abuzive të çmimeve, çka unë shpresoj dhe besoj se nuk do të ndodhë, brenda një ore ne kemi gati hapjen e tregut mbrapa Pallatit të Kulturës, rruga do të bllokohet në të dyja anët, tregtarët e shumicës do të zhvendosen të tërë atje dhe unë personalisht do t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës që të vijnë në këtë treg sepse çmimet aty do të jenë të stabilizuara.  E them edhe një herë tjetër që nuk është ky rasti sepse kemi një stabilitet vërtet të mirë dhe një situatë vërtet nën kontroll. Nuk ka vend për kënaqësi sepse nesër është dita më e rëndësishme, do të mbahen vazhdimisht nën kontroll. Sot pasdite, do t’ju lajmërojmë, do të shpallim çmimet nëpërmjet faqes së bashkisë si dhe nëpër media. Nesër në orën 05:00 të mëngjesit do të bëjmë një përditësim të çmimeve dhe që në çastin më të parë që shohim sinjalin më të vogël, do të ndërhyjmë brenda një ore, një orë e gjysmë, jemi të gatshëm të hapim tregun mbrapa Pallatit të Kulturës në qendër të Tiranës” u shpreh Bozdo.