Garcia: Titulli kampion? Varet nga Juve
Pas javës së 17-të e vetmja skuadër e pamposhtur në Itali është Roma. Në ambientin verdhekuq ka entuziazëm për ndeshjen e 5 Janarit ndaj Juventusit. Trajneri i Romës, Rudi Garcia, duket se i ka projektet e duhura për të përballuar Kampionët e Italisë."Kur nis një kompeticion sigurisht që hyn për të fituar. Nuk ishte në objektivat tona titulli, por me kalimin e kohës jemi përmirësuar shumë dhe duhet të japim maksimumin për të qenë gati në çdo betejë. Juventusi është një skuadër e fortë dhe nuk toleron por ne nuk duhet ta humbasim fillin".Në vijim, tekniku francez përqëndrohet te statistikat, atje ku Juventusi është i paarritshme dhe i vështirë edhe në 2014-ën."Juventus po bën një sezon të mrekullueshëm por edhe ne pasi kemi grumbulluar plotë 41 pikë. Statistikat na japin të drejtë në mbrojtje por bardhezinjtë po zhvillojnë një sezon rekordesh. Edhe Roma po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm por ata kanë avantazhin e eksperiencës dhe të faktit që mund të luajnë edhe me stolin".Por cilat janë disa nga keqardhjet e Garcias për këtë sezon që ashtu si një gjeneral paralajmëron pushime të kufizuara për djemtë e tij."Për mua pushimi është i rëndësishëm por lojtarët duhet të ndjekin një program të caktuar. Kam shumë besim tek ata sepse janë djem inteligjentë dhe e dinë shumë mirë që ndaj Juventusit duhet të luajnë në një nivel të lartë fizik. Nuk duhet të harrojmë se dëmtimet na kanë kufizuar shumë. Kur mungojnë lojtarë si Totti, Gervinho dhe Destro është normale që të shënojmë pak. Nëse Juventusit i heqim Tevez dhe Llorenten atëherë gjërat nuk do të shkojnë mirë as për ta". Racizmi në futboll është një tjetër temë që Garcia e analizon pa komplekse."Duhet të luftojmë të gjithë kundër këtij fenomeni. Shoqëritë duhet t'i kontrollojnë skuadrat e tyre sepse për mendimin tim, ngjyra e lëkurës apo feja nuk janë të rëndësishme, e rëndësishme është që lojtarët të dinë të luajnë futboll për skuadrën”.