Ekonomia në Kosovë, ekspertët: 2013, status-quo ekonomike
Rritje ekonomike prej rreth 3 për qind, deficit tregtar, mungesë e investimeve serioze nga jashtë si dhe nivel i lartë i papunësisë dhe varfërisë, e kanë përcjellë Kosovën gjatë vitit që po e lëm pas.Ekspertët pohojnë se Ekonomia e Kosovës vazhdon të karakterizohet me probleme strukturore, që reflektohen në bilanc tregtar negativ, si rezultat i nivelit të lartë të importeve kundrejt eksporteve, mungesë të theksuar të investimeve të huaja direkte dhe një gjendje ekonomike, e cila nuk dallon nga vitet e kaluara.Njohësi i çështjeve ekonomike, njëherësh dhe drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku thotë se viti 2013, ka qenë një vit, i një Status Quo ekonomike.“Po besoj që ka qenë një vit i një status quo-je ekonomike, në përgjithësi. Nuk ka pasur ndonjë ndryshim radikal të gjendjes ekonomike në Kosovë. Në theks të veçantë, papunësia, deficiti tregtar, rritja ekonomike dhe investimet e jashtme, kanë përcjellë trendet e deritanishme ekonomike. Në rend të parë, papunësia ka mbetur e njëjtë, e pandryshueshme, kanë ndryshuar vetëm numrat statistikor të prezantuara nga institucionet publike, por jo gjendja reale në terren. Deficiti tregtar vazhdon të jetë i rëndë. Pra, kemi një shpërputhje enorme ,në mes të eksporteve dhe importeve, duke theksuar kështu dhe mungesën e zhvillimit apo potencës zhvillimore të Kosovës brenda”, ka pohuar Abdixhiku.Duke i parë të gjitha këto zhvillime, që e kanë përcjellë ekonominë në vend, e të cilat sipas Abdixhikut nuk janë aspak pozitive, reformat radikale në ekonomi, sipas tij, janë të domosdoshme.“Nuk kemi arritur të kemi ndonjë rritje ekonomike, përtej standardeve të deritanishme që është 2 deri në 3 për qind. Këtë vit rritja ekonomike është 2.5 për qind, e që është pothuajse katër herë më e ulët sesa nevojat tona zhvillimore, që janë realisht. Në bazë të këtyre parametrave ekonomik, është pra një vit i cili nuk lë shumë për të dëshiruar, në aspektin e ripërsëritjes, ose nevojës për të pasur një vit të tillë. Do të ishte më e domosdoshme, që të kishim reforma radikale në ekonomi, që do të ndryshonin këtë situatë të tanishme. Është një vit i status quo-s, vit i stagnimit ekonomik dhe i përsëritjes së trendeve të deritanishme”, tha ai.Abdixhiku, ndër të tjera, thotë se gjatë këtij viti, madje në disa aspekte, është shënuar regres, si në menaxhimin e asteve publike. Ndërkaq, në pjesën tjetër të menaxhimit të parasë publike, sipas tij, ka pasur pothuajse stagnim të plotë. Ai thotë se shpenzimet në projekte rrugore, nuk sjellin rritje dhe zhvillim ekonomik. Për shkak të këtyre parametrave, sipas tij, nuk ka vend që askush të krenohet me zhvillimet gjatë këtij viti, sa i përket aspektit ekonomik. Madje, Qeveria e vendit, siç thotë ai, ka mungesë serioze, të idesë së gjendjes së tanishme.Ndërsa, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv, i Odës Ekonomike Amerikane, inkurajues e sheh rritjen pozitive ekonomike. Megjithatë, shqetësuese, sipas tij, mbetet papunësia në vend dhe mirëqenia e qytetarëve.“Çka unë besoj, që është shumë inkurajuese, dhe që është një aspekt i mirë, është se nga viti në vit vazhdojmë të kemi rritje pozitive ekonomike, me gjithë normën e ultë, që ndoshta, realisht, mund të ketë ndikim në një përmirësim më të madh të mirëqenies së qytetarëve të këtij vendi, në krijimin e vendeve të reja të punës. Kjo është shqetësuese, kjo është ajo ku duhet të përqendrohen më tepër përpjekjet e institucioneve në vitin 2014-të, e ku realisht nuk kemi parë përpjekje shumë të mëdha apo serioze nga ana e ministrive kryesore, po flasë këto për Ministrinë e ZHvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Financave. Ajo çka është jashtëzakonisht shqetësuese,është se nuk ka përpjekje serioze, sidomos, për të krijuar kushte më të mira, për sektorin e prodhimtarisë në vend, me gjithë fjalët e mëdha që thuhet se po mundohemi të përmirësojmë bilancin tregtar. Ndërsa, realisht, mungojnë nxitësit, çfarëdo qofshin ata, fiskal apo të tjerë, për sektorin e prodhimtarisë në vend”, tha Zeka.Zeka, më tej, pohon se kjo gjendje në të cilën është tani Kosova me një varfëri dhe papunësi të lartë, do të duhej t’i inkurajojë institucionet përgjegjëse, për krijimin e politikave më të favorshme, të cilat do të rezultonin me krijimin e vendeve të reja të punës.“Në këto rrethana, kur kemi një varfëri shumë të madhe, madje një përqindje shumë të madhe të njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme dhe papunësi jashtëzakonisht të madhe, së paku nga shifrat zyrtare që janë paraqitur nga MPMS dhe nga një raport i Bankës Botërore, diku janë shifra ndoshta 35 për qind ose më e lartë apo e ulët, është jashtëzakonisht e lartë. Kjo duhet të na inkurajojë më tepër, që të krijojmë politika më të favorshme për bizneset, të cilat kanë potencial të krijojnë vende të reja të punës”, pohoi ai.Zeka madje thotë se është momenti i fundit për Qeverinë që ta bartë fokusin nga aspektet politike në ato ekonomike, pasi që trendet nuk janë aq pozitive. Ai thotë se është inkurajuese parashikimi i Qeverisë që të ketë rritje më të lartë ekonomike për vitin 2014, sesa ka qenë këtë vit.Megjithatë, sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme për të përmirësuar në mënyrë më të ndjeshme mirëqenien e qytetarëve dhe për të krijuar vende të reja të punës.Edhe Agron Demi, drejtor ekzekutiv në Institutin për Studime të avancuara, GAP, thotë se zhvillimi ekonomik në vitin 2013, ka qenë shumë i dobët dhe se nuk ka shpresë se kjo do të ndryshojë as në vitin e ardhshëm. Të gjitha parametrat buxhetor dhe ekonomik, sipas tij, janë pothuajse të njëjtë në katër ose pesë vitit e fundit. Demi, më tej, thotë se kjo gjendje e rëndë ekonomike në vend, është si pasojë e mos krijimit të politikave të favorshme dhe mbetjes së sektorit të ekonomisë nën hijen e zhvillimeve politike.“Ekonomia në vitin 2013 ka qenë pothuajse e njëjtë me vitet paraprake. Çka nënkupton se një trend i njëjtë i zhvillimit ekonomik, që për Kosovën është një ecje prapa. Për shkak se ne edhe ashtu jemi në gjendje të keqe dhe do të duhej që të kishte një përparim qoftë në rritjen e GDP-së, qoftë në sektor tjerë. Dhe, në vitin 2013, ne kemi pasur një deficit të lartë tregtar. Kosova, tashmë, ka rrit deficitin tregtar, mbi 2 miliardë euro dhe ne importojmë gjithçka që konsumojmë, duke përfshirë edhe produktet bazike, për shkak se prodhimi vendor, është në nivel të ulët. E Kosova nuk ka arrit të suportojë edhe këta prodhues të pakët vendor. Në anën tjetër, negociatat kanë bërë që fokusi kryesor politik, të përqendrohet në negociata dhe jo në aspekte të zhvillimit ekonomi. Dhe, ekonomia e Kosovës ka mbet anash edhe në vitin 2013”, pohoi ai.