Një vit nga incidentet në Kuvend, Zaev: “E hëna e zezë”, genocid politik

Kordon të shumë policorë të shoqëruar me qenë dhe autoblinda sot ruanin Kuvendin ku ishte paralajmëruar të jepte deklaratë lideri i opozitës Zoran Zaev me rastin e njëvjetorit të ngjarjeve të 24 dhjetorit. “Vitin e kaluar Kuvendi u shndërrua në turp për Maqedoninë”, tha Zaev duke rikujtuar keqtrajtimin dhe tërheqjen zvarrë të deputetëve nga salla e Kuvendit.“Gjithmonë në historinë e Maqedonisë me shkronja të mëdha të zeza do të ngelen të shkruara emrat e kreatorëve të këtij gjenocidi politik. Urdhërues, Nikolla Gruevski, realizues, Trajko Veljanovski, realizuese, Gordana Jankullovska, motivues Zoran Stavrevski dhe pjesëmarrës të gjithë deputetët e pushtetit”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.Zaev tha se këtij pushtetit të dhunshëm po i vjen fundi dhe nga kjo nuk e shpëton asgjë, as shkopi i gomës, e as lotaria. Ai tha se qeveria e kryesuar nga LSDM-ja nuk do e ngulfat, por përkundrazi, do e nxit lirinë e mendimit, shprehjes dhe veprimit.“Më 24 dhjetor 2012, sistemi i Nikolla Gruevskit tentoi ti shkaktoj edhe një goditje, goditje vdekjeprurëse të demokracisë së brishtë të Maqedonisë. Ta vrasë të vërtetën. po, ekziston vetëm udhëheqësi dhe regjimi i tij. As dëshirat nuk do ju plotësohen, e as regjimi do të mbetet. Një vit më pas, udhëheqësi është i zhveshur, i zbuluar dhe i demaskuar”, deklaroi Zoran Zaev.Sot reagoi edhe SHGM-ja pasi kaloi një vit nga largimi po ashtu me dhunë i gazetarëve nga Kuvendi, ndërsa gjykata Kushtetuese ende nuk është prononcuar rreth parashtresës së gazetarëve.“Krahas faktit se kanë kaluar tashmë 9 muaj nga nisma e dorëzuar, Gjykata Kushtetuese nuk është prononcuar ende. Besojmë se Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në javët në vijim nismën tonë dhe do të sjellë vendimin e duhur”, ka deklaruar Naser Selmani.Ngjarjet që vitin e kaluar ndodhën në Kuvend shkaktuan krizë politike në vend. Reagoi edhe bashkësia ndërkombëtare. U formua komision hetimor për zbardhjen e incidentit të ashtuquajtur “E hëna e zezë”, që konstatoi se ka pasur shkelje të Kushtetutës, gjë që u pranua edhe nga VMRO-DPMNE-ja.