Krasniqi: Për shpifjet e kurdisjet mafioze, nuk kërkoj mbështetje
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se nuk do të kërkojë mbështetje e as përkrahje nga askush, për siç thotë, shpifjet, kurdisjet e kombinimet e pista të ndonjë organizimi mafioz.“Për angazhimin tim politik dyzetvjeçar në shërbim të kombit e të atdheut, për çdo veprim a mos veprim timin në çdo etapë të këtij angazhimi e veprimi me përkushtim, nga askush e më nga askush nuk kërkoj mbështetje a përkrahje, e më se paku e kërkoj këtë mbështetje për shpifjet, kurdisjet e kombinimet e pista të ndonjë organizimi mafioz”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.Krasniqi ka shtuar se edhe gjatë Luftës çlirimtare në Kosovë ai nuk ka bërë asgjë që të jetë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare“Jam më se i bindur se në asnjë fazë të veprimit tim politik, përfshirë edhe veprimet e mija në luftën çlirimtare, nuk ka e nuk mund të gjendet asnjë veprim që ka rënë ndesh me ligjet ndërkombëtare të luftës, a normën e traditës sonë kombëtare. Edhe vitet e burgut në shpirtin tim e kanë forcuar humanizmin dhe dhembshurinë. Sigurisht që këtë ma ka mundësuar edukimi im familjar dhe atdhetar, të marr me dashuri nga mendjet më të ndritura të kombit, e pse jo edhe nga mendjet më te ndritura të lëvizjeve revolucionare botërore e të mendimit politik botëror. Falenderoj Zotin që më ka lindur dhe mi ka hapur rrugët e veprimit atdhetar, të njerëzishëm e human për t’i shërbyer me devotshmëri kombit dhe atdheut tonë dhe jo vetëm atëherë kur kërkohen e gëzohen privilegjet” shton më tej Krasniqi.