Haradinaj: Mbështetja ndaj Qeverisë ‘Thaçi’ më kushtoi në zgjedhjet lokale
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehet i pakënaqur me ritmin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në intervistën për Zërin e Amerikës ai thotë se mbështetja që i ka dhënë këtij procesi sikundër edhe proceseve të tjera të drejtuara nga Qeveria e Kosovës i kanë kushtuar në zgjedhjet për pushtetin lokal.Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke komentuar zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ka thënë se është mirë që Kosova e kaloi këtë test të demokracisë dhe zgjedhjet ishin të lira e të rregullta dhe u mbajtën në gjithë vendin.“Me rëndësi po ashtu është që rezultati i këtyre zgjedhjeve është i pranueshëm nga të gjithë pjesëmarrësit. Kuptohet, ne nuk jemi të kënaqur me rezultatin tonë si Aleancë. Kemi marrë 15 për qind të votës së qytetarëve të vendit, përfaqësojmë në asambletë komunale anembanë vendit, marrim pjesë në qeverisje në shumë komuna të vendit në bashkëqeverisje dhe udhëheqim me tri komuna, po nuk ishte një rezultat i kënaqshëm”, ka thënë Haradinaj.Ai pajtohet se afrimi me qeverinë aktuale ishte një nga shkaqet që kanë ndikuar që AAK të mos korrë sukses të pritur në zgjedhjet e fundit.“Kemi qenë të hendikepuar sepse ne morëm obligim me ndihmue në proceset nacionale siç ishte situata e dialogut me Serbinë, pastaj në agjendën evropiane në parlamentin e vendit dhe legjislacionin që ndërlidhet me tema të interesit nacional. Dhe ishte e vështirë pastaj me e nda këtë pjesë nga të bërit opozitë të pastër. Dhe kësisoj, i gjithë ky vit ne na shkoi në këtë frymë. Edhe pse ne kemi bërë përpjekje vazhdimisht me iu shpjegu qytetarëve pozicionin tonë, vlerësimin tonë rreth qeverisjes se zotit Thaçi, prapë se prapë ata e shihnin një dualizëm. Ka edhe arsye tjera. Ka pasur kampanja negative të drejtuara kundër nesh. Vazhdojnë këto kampanja, përfshi edhe me involvimin e aspektit fetar e me gjëra të tjera. Dhe së fundi e kemi edhe atë që e tha njëri nga kolegët që ishte kandidat për mandatin e tij të tretë, tha pushteti të konsumon. Mendoj që këto ishin argumentet kryesore që nuk na lejuan më shku më tutje edhe pse kemi një rritje të bazës votuese, nuk na lejuan me mbërri rezultat më të madh”, ka thënë lideri i AAK-së.Lidhur me bisedimet Kosovë- Serbi, Haradinaj ka thënë se ka disa rezultate, “nuk mund të them se nuk ka rezultate, është situata me gjendjen në pikat kufitare të vendit, është situata, plani i caktuar që të ndodhë vendosja e rendit dhe ligjit, sikur që i shihni mekanizmat që duhet të ndërtohen e integrohen në sistemin e Kosovës, por prap është një dinamike e ngadalshme, është një abuzim, do ta quaja me këtë proces nga palët dhe kjo dinamike dhe kjo mënyrë në aspektin kohor, nuk përputhet me kërkesat që ka Kosova”.Ndërsa, procesin e integrimi të veriut të Kosovës, e sheh si një proces që po shkon ngadalë.Hardinaj vlerëson se në procesin e integrimit të Kosovës në BE, problemi është kualiteti qeverisës.“Kryetari i qeverisë aktuale, zoti Thaçi dhe partia që ai udhëheqë, koalicioni qeverisës, mendoj se ka humbur shumë kohë dhe ka varur shumë shpresa vetëm në dialog, duke menduar se të gjitha rezultatet në planin ndërkombëtar të Kosovës, do t’i vijnë nga qasja që ka Kosova në këtë proces. Por, këtu ka gabuar sepse njëra nga elementet kyçe në çdo vlerësim dhe në cdo hap drejt aftësimit për BE, drejt marrjes së njohjeve të reja, aftësimit për NATO, ka të bëjë me kualitetin e qeverisjes së brendshme, me kualitetin e shtetit, çfarë shteti je. Mendoj se këtu qeverisja Thaci e ka notën e keqe. Mendoj se kualiteti qeverisës ka degraduar në Kosovë dhe ne për këtë e pësojmë. Ne nuk po e pësojmë nga qasja jonë në dialog, ose nga mungesa e ndonjë konstruktiviteti të caktuar me akterët ndërkombëtar, por ne po e pësojmë dhe kemi filluar të paguajmë çmim për kualitetin e dobët qeverisës në vend”.Propozimin e katër ligjvënësve amerikan që Thaçin ta kandidojnë për çmimin Nobel, Haradinaj e sheh një diçka të mirë për imazhin e Kosovës. Synimin që të marrë mandatin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme, Haradinaj e mbështet në atë se “kualiteti qeverisës në Kosovë ka degraduar shumë”.“Kam qenë në qeverisje për një kohë të shkurtër 100 ditëshe, i njoh konstelacionet e brendshme në vend, unë besoj që mundem me i dhënë Kosovës një qeverisje zhvillimore dhe e ofroj veten, e ofroj konceptin politik, i ofroj kualitetet qeverisëse të dëshmuara realisht të 100 ditëshit të dikurshëm duke e ditur se është shumë me nevojë për vendin tim...”, tha Haradinaj, duke potencuar se qëndrimi i AAK-së është që të bëhet një reformë të plotë zgjedhore, “pra të përmbyllim të gjitha temat e hapura në reformë”.“Njëra nga këto është edhe çështja e ulëseve të rezervuara për pakicat në Parlamentin e Kosovës. Unë dhe Aleanca kemi shprehur mirëkuptim, pra e kemi lënë të hapur mundësinë e vazhdimit për një mandat, jo për dy sikurse po thuhet, për një mandat me mundësi të shqyrtimit prap pas një mandati. Por më një mandat e mendojmë si një mundësi, në rast se ka dakordim në spektrin politik, e mendojmë këtë si mundësi për integrim më të lehtë dhe një hapësirë më të madhe për integrim. Pra, i lejojmë vetes hapësirë më shumë që me ndihmue integrimin e serbëve, veçanërisht atyre që janë në veri. Me këtë rast kishim me ndihmue edhe integrimin e malazezëve, kroatëve, pra një gjenerozitet i Kosovës do të vinte në shprehje. Tanimë s’është obligim kushtetues ose nga pakoja e zotit (Martti) Ahtisaari, por do të ishte një gjenerozitet yni duke i mundësuar vetes, duke krijuar më shumë hapësirë për përfaqësim të pakicave”, tha Hardinaj.Lidhur me shqetësimet që nxit përfshirja e shqiptarëve në luftën në Siri, Haradinaj thotë se “ka një tendencë që në Kosovë të depërtojë ose të kultivohet një frymë e rrezikshme islame, ta quaj ashtu, e cila vjen nga lëvizje të caktuara të rrezikshme po ashtu, fundamentaliste nëpër botë, të cilat provojnë me krijue terren dhe me rekrutue njerëz në Kosovë”.Sipas Hardainajt lëvizjet e tilla nuk janë të dobishme, nuk duhet neglizhuar, nuk duhet mohuar. “Duhet me u përballë ashtu si përballen të gjitha shoqëritë në botë me fenomene, me dukuri që janë të dëmshme ose të rrezikshme për to. Edhe Kosova edhe shqiptarët duhet të përballen me to”.Ndërsa në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sipas Hardinajt, rolin kryesor e ka qeveria e vendit.“Do të thotë, këtu vijnë të gjithë akterët tjerë në shoqëri, por roli kryesor e ka qeveria e vendit dhe kryetari i qeverisë. Në rast se një tolerancë e vogël në metodat korruptive të punës nga i pari i shtetit, ajo shumëfishohet nëpër nivelet tjera dhe kësisoj bëhet e pamundshme me e ndërpre, ose me e ndalë ose me e goditë.Pra, se pari duhet të fillojmë më praktikën që të punojmë pa metoda korruptive, të mos involvohemi vet, në mënyrë që të mundemi të ndihmojmë shoqërinë dhe të mund t’i japim një mundësi shoqërisë me punue e me jetue pa metoda korruptive. Pra, duhet të fillojë nga qeveria, duhet të fillojë nga krerët e shtetit”, tha ai.