Parlamenti i Maqedonisë miraton buxhetin për vitin 2014
Pas një seance maratonë, parlamenti maqedonas ka miratuar buxhetin për vitin 2014. Debatet kanë përlasur përfaqësuesit e dy partive politike shqiptare BDI në pushtet dhe PDSH në opozitë.Për Nexhati Jakupin e BDI, buxheti ka përfshirë edhe kërkesat e nevojat e shqiptarëve, ndërsa për Bekim Fazliu e PDSH buxheti është antishqiptar diskriminues dhe varfëron më shumë shqiptarët.
“Buxheti i viti 2014 është vazhdim i realizimit të projekteve të hartuara nga BDI-ja dhe i miratuar nga qytetarët, nga votuesit shqiptarë në RM, meqë edhe në këtë projekt-buxhet janë të parapara mjete financiare me të cilat mbështeten projekte për ndërtimin e shkollave, rrugëve lokale, magjistrale dhe rajonale, për ndërtimin e çerdheve, për ndërtimin e sallave sportive, shkollave të mesme dhe për Universitetin shtetëror të Tetovës. Parashihen bllok donacione për të gjitha komunat në vend dhe në veçanti me ata të cilat qeverisin kryetarë shqiptarë”, deklaroi Jakupi.“Është edhe një buxhet që diskriminon shqiptarët, është buxhet anti-shqiptar. Buxhet që plaçkit shqiptarët, buxhet që nëpërkëmbë djersën dhe mundin e shqiptarëve. Do të votojmë kundër sepse ky është buxhet që do të rrisë edhe më shumë varfërinë, fukarallëkun, papunësinë, mungesën e perspektivës dhe pasigurinë e shqiptarëve. ..Ky është buxhet që ndërton Kisha e kryqe, ky është buxheti që ndërton shtëpinë e ish oficerëve serb në vend të Burmali Xhamisë. Ky është buxhet që ndërton përmendoren e Car Dushanit dhe përmendore të tjera”, tha Fazliu.Parlamenti i Maqedonisë miratoi buxhetin për vitin 2014 me 67 vota pro të deputetëve të partive të maxhorancës VMRO-DPMNE dhe BDI dhe 26 vota kundër nga radhët e opozitës.Buxheti prej 2,86 miliardë euro, rreth 7 për qind më i lartë se buxheti i këtij viti. Me këtë buxhet parashikohet rritje ekonomike prej 3,2 për qind, inflacion prej 3,3 për qind dhe deficit të parashikuar prej 3,5 për qind. Debati për miratimin e buxhetit zgjati per pese dite me rradhë.