KLD ankohet te ndërkombëtarët: Mazhoranca presion e revansh për të na nënshtruar
Lufta e shpallur mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe qeverisë në mbledhjen e fundit të KLD,duket se do të përfundojë në dyert e ndërkombëtarëve,si çdo konflikt në Shqipëri. Në një dalje për mediat Elis Kuçi, zëdhënës i KLD ka sqaruar se ky është një sulm i hapur politik nga ekzekutivi,i cili synon të nështrojë pushtetin gjyqësor.“Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpreh keqardhje të thellë dhe njëkohësisht zhgënjim për qëndrimin në seancën e djeshëm plenare të përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse, të cilët largimin e tyre aspak serioz dhe dinjitoz nga mbledhja e Këshillit, nën petkun e transparencës dhe mbrojtjes së ligjshmrisë, ushtruan "de fakto" një presion të paprecedentë antiligjor ndaj anëtarëve të KLD dhe të gjithë trupës gjyqësore. Këshilli i Lartë i Drejtësisë i bën thirrje të gjithë partnerëve Tanë ndërkombëtarë dhe në mënyrë të vecantë Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, që të ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në këtë institucion, dhe garanton ata dhe të gjithë trupën gjyqësore, se KLD nuk do të lejojë intimidimin nga presione të karakterit politik!”deklaroi Kuçi.Ndërkohë që largimin e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço dhe Sokol Çomo, nga mbledhja e fundit e KLD-së, ky institucion e shikon si të paralajmëruar dhe për më tepër presion për qeverinë e drejtësisë.“Largimi i paralajmëruar, menjëherë pas fillimit të seancës së djeshme plenare, dëshmoi se këta anëtarë të Këshillit nuk kanë aspak qëllim të kontribuojnë për përmirësimin e sistemit gjyqësor!Ata që prej kohësh propagandojnë publikisht nevojën për plotësimin e vendeve vakant në gjykata, bojkotuan seancën e parashikuar për këtë gjë ende pa filluar diskutimi! Ata që prej kohësh propagandojnë domosdoshmërinë për vlerësimin e karrierës së gjyqtarëve, bojkotuan seancën ku u vlerësua karriera për 43 gjyqtarë! Ata që prej kohësh flasin për eficencë në sistem, krijojnë qëllimisht situata penguese në emërimet e gjyqtarëve! Ata që prej kohësh flasin pa bërë asgjë, largohen kur vjen koha e veprimit! Ata që prej kohësh propagandojnë se janë në mbrojtje të ligjshmërisë, shkelën dje, publikisht, detyrimin e tyre kushtetues për të dhënë kontributin konstruktiv në tryezën e Këshillit”tha ai.Debatet mes Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD kanë nisur që prej ardhjes në pushtet të mazhorancës së re,por ndasitë u bënë më të mëdha në mbledhjen e fundit ku Nasip Naço i cilësoi mbledhjet e këtij institucioni si farsë.