Të gjykosh të tjerët
Nuk është fjala për gjykimin si proces institucional, për drejtësinë dhe ndëshkimin kur njeriu vepron kundër ligjit. Nuk është fjala për fajësinë a pafajësinë. As për gjykimin hyjnor. Është fjala për gjykimin shoqëror, individual, në grup, atë që përcakton raportet tona me njëri-tjetrin, vlerësimin, sjelljen karshi njëri-tjetrit në varësi të këtij gjykimi. Ne vazhdimisht përpiqemi të kuptojmë njerëzit e tjerë dhe sjelljen e tyre. Kur jo si zakonisht mes shqiptarësh (kjo bëhet për cektësi, por jo rrallë dhe për ligësi), nuk mjaftohemi me shpjegimin e sipërfaqshëm të sjelljes së njerëzve, por përpiqemi të hyjmë në thellësi, tej të dukshmes, për të shpjeguar arsyet e thella, kujtohemi se njeriu është aq kompleks, aq i vështirë për t’u gjykuar, ka aq shumë dimensione që e lidhin me këtë botë, me të tjerë, me kohën, me të shkuarën, të ardhmen, të përtejmen. Prandaj gjykimi, vlerësimi i drejtë i njeriut, përbën një nga problemet më të vështira të njohjes e ndërtimit të raporteve njerëzore por dhe një temë qendrore të studimit të psikologjisë sociale. Fakti se si i gjykojmë dhe i shpjegojmë shkaqet e sjelljes të të tjerëve, ka ndikim të madh në sjelljen tonë karshi tyre, në sjelljen e tyre ndaj nesh, në raportet njerëzore në tërësi. Veç kësaj, të mësosh se si njerëzit i kuptojnë sjelljet e tyre dhe të të tjerëve, është një bazë e mirë për të zgjidhur mjaft probleme të jetës së përditshme, që nga shqetësimet nervore, problemet në punë, dhimbjet e kokës, rezultati në mësime …Në një raport mashkull-femër, mësues-nxënës, shok me shok, punëdhënës-punëmarrës, përfshihen sa e sa faktorë, elementë, detaje që do të përcaktojnë të ardhmen e raportit që shpesh mund të përfundojë negativisht e duke fajësuar njëri-tjetrin, pa llogaritur se jo rrallë raporti është shkatërruar thjesht për mosnjohje të njëri-tjetrit a më keq, paaftësi a mungesë dëshire për ta njohur më në thellësi njeriun me të cilin ke të bësh. Një drejtues e nis keq raportin me një të porsapunësuar, sepse ajo nuk preferon të shkojë me grupin të pijë kafen ritual në një orë të caktuar. Më pas fillon gjykimi i saj si mendjemadhe e më tej raporti acarohet deri në largimin nga puna. Natyrisht shkaku nuk është kafja, por moskokëçarja për të ditur qoftë edhe pse nuk e pi atë (arsye shëndetësore, preferenca të tjera etj., apo thjesht tip i pashoqërueshëm por i aftë për punë). Shkaku bazal është mosnjohja, madje mungesa e dëshirës a interesimit për të hyrë më thellë në psikologjinë e tjetrit. Shembulli i mësipërm ngjet shpesh e më shpesh në çdo sferë të jetës. Ne vazhdimisht japim apo krijojmë gjykime se ç’tipa janë të tjerët, ç’tipare të personalitetit i karakterizojnë më mirë ata, çfarë e motivon më mirë sjelljen e tyre, dhe jo rrallë e bëjmë këtë në mënyrë të sipërfaqshme. Kështu jo vetëm nuk zgjerojmë a saktësojmë informacionin që kemi për tjetrin e që mund të na jetë i nevojshëm në të ardhmen, por dhe harrojmë edhe se perceptimet e të tjerëve janë mjaft të rëndësishme për jetën e njeriut dhe mund të rezultojnë fatale për të ardhmen e tij apo të raporteve të tij sociale. Në një rast tjetër të freskët, një drejtor shkolle paraqitet i surprizuar se si filan nxënës kreu krim e vrau shokun e tij. “Ai nuk ngjiste kërkund i tillë, s’ma priste mendja”. Drejtori në fjalë nuk ka shfaqur interesim jo më për individin në fjalë, por as edhe për të lexuar a rilexuar në ndonjë libër elementar psikologjie disa karakteristika të përbashkëta të adoleshentëve të asaj moshe, e për të kuptuar që nëse është një moshë ku nuk ka çudira, por përkundrazi mund të presësh çdo gjë kjo është adoleshenca. Qoftë edhe për faktin që kjo është mosha e formimit të identitetit, e kërkimit të tij, e vështirësive të rritjes, kur mund të fillosh shkëlqesh në mësime, në një fushë të dijes, në art sport etj., por në mungesë të sublimimit mes këtyre edhe të hidhesh në anën tjetër e të spikasësh edhe në kriminalitet, natyrisht këtu me një shkëlqim të zi.Po ç’faktorë i formojnë gjykimet tona për njerëzit e si mund t’i përmirësojmë e bëjmë ato më të sakta? Si i përcakton njeriu të tjerët e si mund t’i kuptojë më mirë ata? Një drejtues i ri, një njeri që hyn rishtazi në punë, një mësues që porsa fillon në një shkollë tjetër, nuk janë ende të besueshëm apo të njohur se si janë në e do të jenë në të vërtetë për një shumicë njerëzish me të cilët do të ketë të bëjnë. Por edhe anasjelltas: këta njerëz janë ende të panjohur për të. Dhe kjo njohje është e vështirë të bëhet jo më që në fillim por edhe pas ca kohe sepse veç informacionit në fjalë ne marrim çdo ditë një informacion pafund për njerëzit, raportet janë kaq shumë por edhe njeriu është mjaft kompleks, dhe nuk është e lehtë të përcaktojmë se ç’është dhe ç’nuk është e rëndësishme te ky informacion e të gjykojmë mbi karakterin e të tjerëve. Në aspektin e shembujve të mësipërm del pra e domosdoshme të njihet si realizohet njohja, gjykimi e vlerësimi i tjetrit jo veç si individ por edhe si pjesë grupi, klase, etnie, historie, vendi etj., ku bën pjesë. Madje edhe më gjerë duke studiuar njohjen sociale, procesin që fshihet apo ndodhet pas të kuptuarit të botës sociale nga njerëzit.Njeriu zakonisht ndërton përgjithësime, klasifikime, rrjeta njohurish për të gjykuar mbi njerëzit. Këto e organizojnë informacionin e mbledhur në kujtesë, paraqesin në mendje rrugën se si operon tjetri dhe japin një kornizë për të kategorizuar e interpretuar informacionin mbi individin duke e përfshirë atë në grupe a kategorizime, tipa a vlerësime përgjithësuese a të veçanta sociale. Ne bëjmë për shembull përgjithësime mbi tipa të veçantë apo kategori të veçanta njerëzish, si mjekët, mësuesit, njerëzit nga një krahinë e caktuar, të rinjtë, femrat, ata që vinë nga studimet jashtë shtetit etj. Mjeku fjala vjen në çdo rast duhet të njohë mirë profesionin, të jetë shumë kompetent dhe të sakrifikojë rehatinë e jetën e vet personale e familjare për njeriun e sëmurë e në rrezik jete. Nëna përfytyrohet të jetë e ngrohtë, përkëdhelëse, e dhembshur etj. Ata që vinë nga jashtë, sidomos deri 20 vjet më parë tek ne, dinin më shumë, ishin më të rafinuar, më të sofistikuar etj.Këto vlerësime a gjykime kanë të meta se përfshijnë në një grup e mbipërgjithësojnë individë me tipare të ndryshme individuale, por kanë edhe të mira se në raste kur na duhet informacion i shpejtë, na ndihmojnë në kategorizimin e informacionit, si dhe për të parashikuar se si janë të tjerët në bazë të një informacioni relativisht të vogël. Kjo nga ana e vet e dëmton gjykimin për individin duke na bërë të nxjerrim konkluzione duke u bazuar në tipare të përgjithshme apo tipare që përbëhen nga pjesë të zgjedhura informacioni, pjesë tipike që na bëjnë më shumë përshtypje.Kur kemi një informacion të këtij lloji ne jemi të prirur të mendojmë se me çfarë është i ngjashëm një individ dhe kjo formon, justifikon gjykimet e parashikimet tona lidhur me veprimet e këtij individi në situata të ndryshme por edhe sjelljen tonë në raport me të. Pra nga njëra anë thjeshtojmë punën për interpretimin e sjelljes së njeriut e për ta njohur më mirë e më shpejt atë, por nga ana tjetër kjo shpie dhe në përgjithësime të gabuara, futjen e njerëzve në kallëpe të paracaktuara që njësojnë tiparet e tyre e na bëjnë të gjykojmë shpesh cekët për atë çka ndodh përbrenda individit të papërsëritshëm, si qenie unike që veç karakteristikave të përgjithshme ka mjaft veçanësi që shpesh bëhen përcaktuese në ato çka bën ai. Kështu për një të porsaardhur në një shkollë qyteti nga një fshat i largët, gjykojmë se njohuritë e tij janë apriori më të cekëta a të mangëta dhe e trajtojmë me një kompleks superioriteti deri në momentin kur vëmë re, por jo rrallë shumë më vonë, se ky mund të jetë një njeri me prirje të jashtëzakonshme a vullnet të hekurt që më pas bën emër të madh e shquhet në tërë vendin. Historia njeh mjaft raste të tilla.Duke gjykuar cekët e mbi bazë paragjykimesh, shpesh njerëzit gabojnë e mbushin me informacion jo të vërtetë vlerësimet për të tjerët. Këto vlerësime nuk janë as të saktë e as të plotë në mendjen e tyre dhe shpesh sjellin ndërtimin e raporteve të gabuara. Fjala vjen një individ me pamje të jashtme prej intelektuali, me syze moderne, e çantë lëkure të hollë, ne e plotësojmë duke e menduar intelektual, profesor, i ditur, tërheqës e komunikues, në një kohë që kjo herë është e vërtetë e herë jo. Por ka raste kur kjo mjafton për një individ mashtrues sidomos në mjedise të pakultivuara, për të çarë shpejt e për tu shquar dhe përfituar pa meritë. Natyrisht, kjo është e pamjaftueshme në mjedise ku respektohet hierarkia e vlerave e ku gjykimet janë të thella e racionale. Një e metë tjetër e gjykimeve a vlerësimeve të cekëta e të gabuara mbi bazë klasifikimesh qëndron në faktin se ato mund të bëhen mjaft rezistente ndaj ndryshimeve. Njeriu tenton më shumë të modelojë fakte që i përshtaten një ideje ekzistuese paraprake për dikë se sa të pranojë se është gabuar, qoftë edhe kur i paraqiten fakte për këtë. Tek ne kjo është kaq e zakonshme sa fiksimet e gjykimeve të cekëta dëmtojnë personalitetin e tjetrit shpesh dhe sado të bëjë a arrijë rezultate ai në të ardhmen, kjo futet sërish në kontekste rastësore, e nuk i dedikohet vlerave të tij si individ. Këtu nga njëra anë ndikon fiksimi në gjykimet e cekëta fillestare. Por veç kësaj për atë që do të pranonte se ka vlerësuar gabim të tjerë, është dhe çështje sedre a vlerësimi negativ për veten nëse do ta pranonte këtë. Dhe sidomos këtu ne shqiptarët zor se lëshojmë pe. Tek ne në shumicën e rasteve nëse për shembull i thuhet dikujt se dikush është i paaftë, ai e fut këtë informacion në një vlerësim stereotip e më vonë, po ju tha për të njëjtin njeri, se nuk është e vërtetë ajo që kishin menduar e se ai po dëshmon vlera, dhe se gjykimi ishte i gabuar, ai e ndryshon opinionin me mjaft vështirësi ose nuk e ndryshon fare. Në një formë të përmbledhur do të mund të thuhej se, gjykimet përgjithësuese e klasifikuese i thjeshtojnë konkluzionet sociale dhe kjo është e mirë si fillim për një njohje të shpejtë, por më pas ato tentojnë t’i tejthjeshtojnë konkluzionet në ekstrem, gjë që shpesh është e dëmshme për një gjykim e vlerësim të saktë të tjetrit dhe për ndërtimin e raporteve të drejta me të.Ne jo rrallë i gjykojmë njerëzit sipas kategorive sociale ku bëjnë pjesë, kategorive etnike (shumë nga pjesëtarët e këtyre kategorive rëndom quhen të paaftë, përtacë etj.), nga krahina a origjina e shpesh harrojmë që pas kësaj rastësie gjeografike po të përqendrohemi pak, mund të qëndrojë më në thellësi një botë e tërë, a një rastësi tjetër gjenetike që mund të shenjojë krejt ndryshe njeriun e stereotipizuar. Shembuj të tjerë gjykimesh a paragjykimesh negative janë ato mbi bazën e moshës, seksit. Këto çojnë në të shikuarit e moshave të vjetra në përgjithësi si pasive, servile, të paafta, në ndërtimin e raporteve nënvlerësuese për ta dhe shpërfilljen a mosangazhimin e tyre në probleme a punë ku përvoja e tyre mund të jetë mjaft e vyer. Veç këtyre ne jemi të prirur të ndërtojmë e ruajmë opinione jo të favorshme për ata që s’i njohim e që nuk bëjnë pjesë në grupin, partinë, shoqërinë tonë dhe më të favorshme për pjesëtarët e grupit ku bëjmë pjesë (parti, shoqata, shoqëri, grupe, “dora jonë”, klasa, lagjja etj.). Kjo prirje e njohur edhe si tendenca e ngjashmërisë së supozuar është veçanërisht e theksuar kur tipare të qarta si seksi, raca, grupi janë të ngjashme, por edhe kur ka ndryshime midis vlerësuesit dhe të vlerësuarit. Kjo mund të çojë edhe në një keqperceptim të njerëzve e personalitetit të tyre nëse ata nuk janë të ngjashëm me ne. Nga ana tjetër, nëse të tjerët janë të ngjashëm, tendencat e ngjashmërisë së supozuar mund të çojë në gjykime pozitive nganjëherë dhe të drejta, jo ngaqë vlerësuesit janë të mprehtë në vlerësime, por sepse ata i karakterizojnë të tjerët si veten a si grupin ku bëjnë pjesë, grup që dhe e njohin mirë./Burimi: mapo.al/