Kampionati i “Dancit Sportiv, Bozdo:Bashkia do mbështesë çdo eveniment sportiv
Është zhvilluar sot kampionati i XIII-të i “Dancit Sportiv Latin”, “Dance Adulte”, i organizuar nga Federata Shqiptare e Dancit Sportiv në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si dhe Komiteti Olimpik Kombëtar.Në këtë kampionat merrte pjesë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z.Enno Bozdo i cili në fjalën e tij tha se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të mbështesë evenimente të tilla, që të kemi në masë të gjerë nëpër të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit.“Përshëndetje të gjithëve, e nderuara znj. Spaho, të nderuar zonja, zotërinj, Profesor Bujar Shehu kam kënaqësinë që në emër të Bashkisë së Tiranës, të kryetarit të saj z. Lulzim Basha të përshëndes këtë eveniment kaq të veçantë sot. Një eveniment, i cili pa pasionin, dashurinë por dhe do të thoja përpjekjen e vazhdueshme të zonjës Spaho, por edhe të gjithë të tjerëve, të gjithë stafit të Federatës nuk do të ishte këtu sot.Përpara se të fillonte evenimenti, zonjusha Spaho më tha që të gjithë sportistët shqiptarë marrin pjesë në 54 evenimente botërore brenda një viti, çka do të thotë që në çdo javë ka një eveniment dhe çdo javë një çift nga Shqipëria mban lartë emrin e Shqipërisë, flamurin shqiptarë dhe e përfaqësojnë atë denjësisht, pothuajse në të gjitha vendet e botës. E kjo, është një arritje që duhet duartrokitur.“Sot, evenimenti i sotëm, besoj të sjellë një nismë shumë interesante, disiplinën sportive, përkushtimin, lodhjen, mundin për të gjithë ata që do të konkurrojnë sot. Por jo vetëm sportin, besoj hijeshisë së figurave, sjellin artin, elegancën edhe estetikën. Është një shembulli shumë i mirë që duhet mbajtur parasysh se si me përpjekje, me pasion me përkushtim jo vetëm ndërtohet një Federatë, por ne arrijmë sot që të festojmë, sepse besoj se ka për të qenë një festë, kënaqësi për të gjithë pjesëmarrësit, edhe kampionatin e XIII-të kombëtar. Duke ju sjellë përshëndetjet edhe një herë të Bashkisë së Tiranës, duke marrë angazhimin para jush që vitin tjetër ne do të jemi edhe më prezent dhe do t’ju ndihmojmë që kjo sfidë kaq e bukur, me kaq pasion, të përhapet edhe më shumë në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Tiranës, ta masivizojmë. Ju premtoj që Bashkia e Tiranës, do të qëndrojë pranë jush dhe do ta mbështesë në vazhdimësi Federatën dhe gjithë evenimentet e saj” u shpreh Bozdo.Në këtë aktivitet konkurojnë për titullin kampionë në dy disiplina “Standart Dance” dhe “Latin Dance”, 200 sportistë nga shoqatat dhe ekipet sportive të Dancit.